Nga Vendi
3 June 2025
Qeveria e RMV-së prezanton Planin Operativ për Punësim 2025: Mbi 16,000 qytetarë përfitojnë, 1,352 të rinj me përvojë praktike

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka prezantuar Planin Operativ për Punësim për vitin 2025, i cili vlerësohet si një nga iniciativat më ambicioze në historinë e vendit për përfshirjen e të rinjve dhe personave të papunë në tregun e punës.

Sipas njoftimit zyrtar, përmes këtij plani do të përfitojnë mbi 16,000 qytetarë, përfshirë të rinj nën moshën 29 vjeç, persona të papunë dhe individë nga kategoritë sociale më të ndjeshme. Vlera totale e planit kap shifrën 40 milionë euro, të cilat do të investohen në masa konkrete për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore.

Një nga shtyllat kryesore të Planit është programi i përvetësimit të aftësive praktike për 1,352 të rinj deri në moshën 29 vjeçare, me kusht që të kenë të paktën arsimin e mesëm të përfunduar. Programi synon të ndihmojë të rinjtë të fitojnë përvojë praktike dhe të bëhen më konkurrues në tregun e punës, duke rritur mundësitë për punësim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Gjithashtu, Plani përfshin një masë stimuluese për 3,500 të rinj nën moshën 23 vjeç, të cilët do të përfitojnë shtesë mujore prej 3,000 denarësh për çdo të punësuar në sektorin e prodhimtarisë. Qëllimi i kësaj mase është nxitja e punësimit të të rinjve në veprimtari prodhuese dhe forcimi i kapaciteteve të përgjithshme të ekonomisë.

“Në fokusin tonë janë rritja, zhvillimi dhe mirëqenia ekonomike. Kjo arrihet përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe sigurimit të kushteve për paga të dinjitetshme, duke garantuar një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët, në mënyrë të barabartë,” thuhet në deklaratën e Qeverisë së RMV-së.

Ky plan pritet të luajë një rol kyç në përforcimin e kapaciteteve njerëzore dhe ekonomike të vendit, si dhe të jetë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një tregu pune më të qëndrueshëm dhe të përfshirës./Almakpress

 

 



Të ndryshme
Më shumë
Albin Kurtit i kërkohet të raportojë në Kuvend pas takimit me Vuçiqin21 June 2021
Mbytet një person në plazhin e Golemit22 July 2021
Tetova me rekord të ri mortaliteti23 June 2021