Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në një komunikatë për media, BDI thekson se raportimet e fundit nxjerrin në pah një disproporcion alarmues në pozitat vendimmarrëse, veçanërisht pas shfuqizimit të mekanizmit të ashtuquajtur “Balancuesi”.
Sipas analizave të publikuara në disa mediume, shqiptarët rezultojnë të nënpërfaqësuar në një sërë institucionesh kyçe, përfshirë Presidencën, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO-n dhe Agjencinë e Administratës.
“Ky disproporcion është veçanërisht shqetësues pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 9 tetor 2024 për të shfuqizuar ‘Balancuesin’, një mekanizëm që më parë siguronte përfaqësim të drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia thekson se mungesa e një zgjidhjeje të re ligjore që nga ajo kohë ka çuar në përjashtimin e shqiptarëve nga pozitat kyçe të vendimmarrjes, duke minuar parimet e Marrëveshjes së Ohrit.
“BDI u bën thirrje institucioneve përkatëse që të ndërmarrin masa urgjente për të adresuar këtë pabarazi dhe për të siguruar përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike”, thuhet në komunikatë.
Duke nënvizuar përkushtimin ndaj barazisë dhe integrimit të shqiptarëve në jetën institucionale të vendit, BDI shpreh vendosmërinë për të vazhduar angazhimin politik në këtë drejtim, duke rikujtuar se përfaqësimi i drejtë është një shtyllë themelore për një shoqëri demokratike dhe të barabartë.