Nga Rajoni
29 September 2025
Noteres shqiptare i sekuestrohet pasuri e dyshimtë prej 3 milionë euro

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases Sanja Telhallari me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, 35-vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në një kompleks. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme. Prokurori i çështjes ishte Ndini Tavani, teksa vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.



Të ndryshme
Më shumë
Bullgaria i dërgon not proteste ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Sofje29 September 2021
Nikolla Gruevski pas dy javëve do të kthehet në Maqedoni!?17 December 2020
155 raste të reja me COVID-19 dhe 2 të vdekur në 24 orët e fundit 7 August 2020