Nga Bota
30 September 2025
'Ditë historike!' Trump shpall planin e paqes për Gazën: Le ta quajmë paqe të përjetshme në Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar dje se një marrëveshje paqeje për Lindjen e Mesme është “më shumë se shumë pranë”. Gjatë një deklarate zyrtare, ai njoftoi publikimin e një plani paqeje me 20 pika dhe tha se kjo ditë mund të jetë një nga më të rëndësishmet në historinë e qytetërimit njerëzor.

Duke folur për mediat ndërkombëtare, Trump konfirmoi se është duke punuar ngushtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund konfliktit në Rripin e Gazës dhe do të hapte një faqe të re në rajon.

“Sot është një ditë historike për paqen. Eshtë potencialisht një nga ditët më të mëdha në historinë e qytetërimit. Le ta quajmë paqe të përjetshme në Lindjen e Mesme"  tha Trump në konferencë për median krah kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai bëri të ditur se bashkë me liderë të rajonit dhe përfaqësues të shumë shteteve kanë hartuar një plan paqeje të cilin e cilësoi si shumë të mirëpritur nga partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Trump, në zhvillimin e këtij plani kanë kontribuar udhëheqës të vendeve arabe dhe myslimane, por edhe aleatë të rëndësishëm europianë. Ai përmendi konkretisht Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Jordaninë dhe Pakistanin si vende që janë “shumë të përfshira” në këtë përpjekje.

“Kam pasur takime me shumë vende për të diskutuar mbi këtë propozim. Liderët e rajonit kanë treguar angazhim serioz,” shtoi ai.

Trump theksoi se, nëse plani pranohet nga Hamasi, ai parashikon lirimin e të gjithë pengjeve që aktualisht mbahen nga grupi në Rripin e Gazës – një hap që mund të përshpejtojë rrugën drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për Lindjen e Mesme, ku lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka tensionuar situatën rajonale. Iniciativa e Trump synon të paraqitet si një zgjidhje diplomatike gjithëpërfshirëse, ndonëse reagimet ndërkombëtare mbeten të ndara.



Të ndryshme
Më shumë
Vetëm 17 për qind e dibranëve paguajnë faturat e ujit 9 July 2021
Kasami: Besa do të mbështesë Qeverinë derisa sa është e përcaktuar drejt rrugës drejt BE-së 2 November 2021
Kombëtarja shqiptare nis përgatitjet për përballjen me Serbinë dhe miqësoren me Jordaninë 6 October 2025