Në një atmosferë të qetë dhe pa incidente të mëdha, qytetarët e Kosovës kanë votuar të dielën për të zgjedhur kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale. Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, gara solli rezultate të ngushta në shumicën e komunave, të cilat do të shkojnë në balotazh, shkruan koha.net.
Pas një muaji fushatë, premtime e rivalitet politik, qytetarët e vendit u janë drejtuar kutive të votimit të dielën për të vendosur se kush do të udhëheqë komunat dhe kuvendet komunale për katër vjetët e ardhshëm.
Procesi është zhvilluar në atmosferë të qetë, por me pjesëmarrje më të ulët se në zgjedhjet e kaluara. Gara politike solli rezultate që mund ta ndryshojnë hartën elektorale lokale të Kosovës, por pas raundit të dytë.
Në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë – gara mbetet e hapur pasi asnjëri prej kandidatëve nuk siguroi mbi 50 për qind të votave.
Janë 21 komuna që sipas rezultateve preliminare, po shkojnë me përfundim të garës qysh në rund të parë.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare, ka fituar pa balotazh në Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit, por u thye në bastionin e saj historik, Drenas, nga kundërkandidati që deri para zgjedhjeve të fundit ishte pjesë e PDK-së, Ramiz Lladrovci.
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan e Klinë. LDK-ja ka arritur fitore me të parën në Istog e Lipjan.
Nisma ka fituar në Malishevë e KDTP-ja në Mamushë.
Ndërkohë, Lista Serbe i ka fituar shumicën e komunave me shumicë serbe duke fituar pa balotazh në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Mitrovicë të Veriut. Por kjo parti do të shkojë në balotazh në Kllokot. Kandidati i Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq ka arritur të fitojë 41,62 por do të jetë në rundin e dytë me kandidatin e Unitetit Kombëtar Serb, Sreqko Spasiq.
Sipas KQZ-së, procesi i zgjedhjeve të së dielës ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.
Dalja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit është 39.51 për qind. Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë. Prej tyre kanë votuar mbi 800 mijë. Rreth 44 mijë prej tyre kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës është më e ulët në krahasim me rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2021, kur ishte regjistruar pak mbi 43 për qind pjesëmarrje në zgjedhje.
Fitore pa balotazh
Pas mbylljes së kutive, KQZ-ja ka nisur publikimin e rezultateve për kryetarë dhe kuvende komunale në kohë reale. E disa prej subjekteve që morën rezultatet nga komisionerët dolën edhe në konferenca për media.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pati vetëm një status në “facebook” pas mbylljes së kutive të votimit.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara. Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”, ka shkruar Kurti në “facebook”.
E në një prononcim për media pas mesnatës, kandidati për Prishtinën nga VV-ja, Hajrulla Çeku ka falënderuar të gjithë aktivistët dhe qytetarët që e kanë mbështetur Vetëvendosjen në kryeqytet.
“Për këtë angazhim të jashtëzakonshëm dhe këtë rezultat shumë të mirë që kemi siguruar për të sjellë ndryshimin e madh në Prishtinë, falënderoj të gjithë votuesit dhe aktivistët tanë. Kjo është vetëm fillimi ynë drejt fitores së madhe”, ka thënë ai.
Çeku ka thënë se rivali i tij në balotazh, Përparim Rama,“është kryetari me mbështetjen më të vogël nga të gjithë kryetarët që kanë garuar në këto zgjedhje”.
Ndërkohë, disa kandidatë për kryetarë të kësaj partie shpallën fitoren që në raundin e parë.
Kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në orët e mbrëmjes ka shpallur fitoren pa balotazh. Bulliqi nga Vetëvendosje ka thënë se e ka fituar garën, për të cilin të jetë mandati i dytë. Fitoren e shpallën edhe kandidati i kësaj partie në Komunën e Gjilanit, Alban Hyseni dhe të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, të cilët megjithatë do të jenë në balotazh.
Faton Peci, kandidat i VV-së për kryetar të Mitrovicës, ka reaguar pasi rezultatet e nxorën se do të ketë balotazh mes tij dhe Arian Tahirit të PDK-së.
“Të dua fort Mitrovicë”, ka shkruar ai.
Pas numërimit të mbi 92 për qind të votave fitues ka dalë edhe kandidati i Vetëvendosjes në Kamenicë, Kadri Rahimaj e ai në Shtimje, Qemajl Aliu – dy komuna me të cilat kishte qeverisur katër vitet e fundit. Vetëvendosje, si parti e dytë me kandidatët e saj do të jetë në balotazh në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë e Prizren.
Edhe partitë e tjera shpallën fitore nga komunat ku u konfirmuan si parti të para me mbi 50 për qind në raundin e parë.
Fitoren nga Mitrovica e ka shpallur kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja kryeson me numrin e komunave të fituara pa balotazh, me numër të votave për parti.
Ai ka thënë se kur “numërohen votat e fundit në Mitrovicë, atëherë Arian Tahiri do të jetë kryetar i ri i kësaj komune”.
“I madh e i vogël, prej kryeministrit në detyrë e deri te i fundit në qeveri kanë ardhur duke dashur me i marrë votat e mitrovicalive, por ju keni treguar që vota nuk merret me mashtrim e arrogancë. Unë ju ftoj që me besim të plotë të jemi bashkë deri në numërimin e votës së fundit, e cila jam i bindur që zgjedh kryetar të ri të Mitrovicës, Arian Tahirin”, ka thënë Krasniqi në tubimin e mbajtur në palestrën “Minatori” pas mbylljes së qendrave të votimit.
Por rezultatet e publikuara nga KQZ-ja konfirmuan se Tahiri do të jetë në balotazh me Faton Pecin nga Lëvizja Vetëvendosje-Guxo.
PDK-ja ka fituar pa balotazh në Skenderaj me kandidat Sami Lushtakun, në Ferizaj me Agim Aliun e në Han të Elezit me Mehmet Ballazhin.
LDK-ja e shpall fitoren në tri komuna
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në tri komuna pa balotazh dhe ka deklaruar se LDK-ja është rikthyer si forca e parë politike në Prishtinë pas 12 vjetësh.
Në një konferencë për media pas mbylljes së procesit zgjedhor, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ka fituar pa balotazh në Istog, Lipjan dhe Junik, duke uruar kandidatët për këto fitore. Por të dhënat e KQZ-së tregojnë se në Junik megjithatë do të ketë balotazh.
Afër fitores në raund të parë, kryetari i LDK-së ka thënë se janë edhe në Pejë me Gazmend Muhaxherin e në Dragash me Bexhet Xheladinin. U shpreh i bindur se me votat e diasporës, këto dy komuna do të përfundojnë pa balotazh.
Ai theksoi se partia është fituese, udhëheqëse ose garuese në 12 komuna, duke e cilësuar 12 tetorin si ditë të 12 komunave të LDK-së.
Abdixhiku e uroi “fituesin kryesor” të këtyre zgjedhjeve, Përparim Ramën.
“Pas 12 vjetësh, në Prishtinë jemi parti e parë. Rikthimi ynë në kryeqytet është shenjë e punës së Përparimit dhe rikthimit të LDK-së. Pas numërimit të mbi 70 për qind të vota nga komisionarët tanë, Rama ka 36%, Çeku 32% e Ismaili 26%”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka shtuar se LDK-ja është në prag të fitores në Viti e Obiliq, ndërsa ka thënë se do të garojë në balotazh në Fushë-Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar historik rezultatin në zgjedhjet lokale, vetëm përmes një statusi në “facebook”.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë fitore dhe rezultat historik. Çdo garues, çdo komisioner, çdo vëzhgues, çdo njeri që ka kontribuar për këtë rezultat. Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
AAK-ja sipas rezultateve preliminare, i ka ruajtur komunat që i ka udhëhequr. Ka fituar në Deçan e Klinë.
Garë e fortë ka qenë edhe në komunën e Drenasit. Kryetari aktual, Ramiz Lladrovci i cili garoi me listë të veçantë, pasi PDK-ja nuk e mandatoi edhe për një mandat, ka fituar 52 për qind, derisa Petrit Hajdari i PDK-së, 37,23 për qind. Nisma ka fituar në Malishevë e partia turke, KDTP në Mamushë.
Qetë dhe pa incidente të mëdha
Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa incidente të mëdha të cilat do ta cenonin procesin. Pas përfundimit të votimit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën janë iniciuar dy raste për “cenim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe një në Kllokot, ndërsa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, siç ka thënë Policia me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si “shënim zyrtar”. Janë raportuar 11 raste të tilla. Policia ka thënë se në përgjithësi i tërë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë e pa incidente madhore.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për ‘fotografim të votës’, me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata. Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu janë trajtuar edhe 10 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, ka njoftuar Policia. Por, është vlerësuar se nuk ka elemente që ndërlidhen me vepra penale.
E për rastin e të shtënave me armë në Komoran, ku është dëmtuar një veturë, janë shoqëruar dy persona, ndërsa është thënë se nuk është i ndërlidhur me procesin zgjedhor.
“PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar. Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion. Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Veç Policisë, edhe rreth 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës kanë qenë kujdestarë në të gjithë Kosovën për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Pas mbylljes së votimit, Prokuroria ka njoftuar se ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm dy prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.
“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu, për veprën penale: “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në Kllokot – Gjilan, për veprën penale: “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.
Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim” ka deklaruar se procesi i votimit të së dielës në zgjedhjet lokale ka qenë i qetë dhe demokratik, sipas ekipeve të vëzhguesve të saj që kanë ndjekur nga afër ecurinë e procesit të votimit që nga hapja e vendvotimeve.
“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit. Ndërrimet e Qendrave të Votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren, dhe një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në Listën e Votuesve. Përkundër ndryshimeve të shumta në listat e votuesve, gjendja është përkeqësuar si rezultat i mungesës së tavolinave ndihmëse në një pjesë të konsiderueshme të qendrave të votimit”, thuhet në njoftim.
Më tej është thënë se janë evidentuar edhe prani e materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh.
E anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, në njërën prej konferencave të KQZ-së ka thënë se Lista Serbe ka mbajtur tubim masiv. Sipas tij, në mënyrë të organizuar serbët e veriut të Mitrovicës kanë shkuar në vendvotim ku “qëllimisht janë bllokuar korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme, incidente”.
Një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor ka qenë edhe vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ato janë vendosur në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. /koha.net