Nga Vendi
3 November 2025
Nxënësja Rita Sulejmani nga Tetova fiton çmim në Konkursin me rastin e Ditës Botërore të Kursimit

Nxënësja Rita Sulejmani, nga klasa e gjashtë e Shkollës Fillore “Goce Dellçev” në Tetovë, është shpërblyer me çmim në Konkursin për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, organizuar me rastin e Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetor.
Konkursi, që këtë vit u zhvillua me temën “Të kursejmë për dëshirat tona, të kursejmë për ardhmërinë tonë” për shkollat fillore, dhe “Kursimi, paratë dhe shërbimet financiare në epokën digjitale moderne” për shkollat e mesme, mblodhi një pjesëmarrje të gjerë të nxënësve nga e gjithë Maqedonia e Veriut.
Në këtë edicion morën pjesë 565 punime nga shkollat fillore, përfshirë 94 poezi, 104 tregime të shkurtra dhe 367 vizatime artistike, si dhe 53 ese nga nxënësit e shkollave të mesme.
Punimet u vlerësuan për cilësinë, kreativitetin dhe qasjen origjinale ndaj temës së kursimit dhe njohurive financiare në kohën moderne digjitale.
Në kategorinë e veprave letrare – tregime të nxënësve nga klasa e 6-të deri në të 9-tën, çmimet u ndanë për:
Usein Zeqiri, ShFK “Dimo Haxhi Dimov” – Shkup,
Lluka Veljanovski, ShFK “Kiril Pejçinoviq” – Shkup,
Rita Sulejmani, ShFK “Goce Dellçev” – Tetovë.
Organizatorët, përkatësisht Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Financave e vendit tonë, i falënderojnë të gjithë pjesëmarrësit për interesimin dhe krijimtarinë e treguar, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të kulturës së kursimit dhe edukimit financiar që në moshë të re./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Mbërrin grupi i parë i qytetarëve nga Afganistani në Maqedoni31 August 2021
Arben Fetai ushtron të drejtën e votës në Opajë19 October 2025
Veteranët kroatë valëvitin flamujt e UÇK-së, shprehin falënderim ndaj shqiptarëve për mbështetje 8 August 2020