Piktori dhe profesori i njohur, Nevzat Bejtuli – Kica, është tashmë anëtar akademik i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, një vlerësim që kurorëzon dekada të tëra pune artistike dhe akademike.
I lindur në vitin 1962 në Gjurgjevisht - Gostivar, Kica është ndër figurat më të spikatura të artit pamor shqiptar. Ai ka përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura në Shkup (1993) dhe studimet pasuniversitare në Prishtinë (2002), nën udhëheqjen e profesor Rexhep Ferrit. Prej themelimit të Universitetit të Tetovës, ai është pjesë e stafit akademik, ku ligjëron lëndën “Nudo dhe studimi i trupit të njeriut në art figurativ”, me thirrjen më të lartë, profesor ordinar.
Kica ka përfaqësuar artin shqiptar në ekspozita të shumta ndërkombëtare në ShBA, Francë, Itali, Austri, Bosnjë e më gjerë, ndërsa veprat e tij janë përfshirë në botime prestigjioze si ai i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (2014). Ai është nderuar me disa çmime të rëndësishme, përfshirë “Petar Mazev”, “Milingona e Artë”, dhe “Osten Gold”.
Në krijimtarinë e tij, Kica i rikthehet vazhdimisht mitit, figurës së kalit dhe njeriut, duke shndërruar legjendën në reflektim mbi identitetin, shpirtin dhe fisnikërinë njerëzore.
Ky titull si akademik përbën një njohje të merituar për kontributin e tij në artin bashkëkohor dhe edukimin artistik shqiptar.