Nga Rajoni
10 November 2025
Dom Mark Pashkja: “Mos na uroni më për Bajram e për Pashkë, heshtja vlen më shumë se hipokrizia”

Pas miratimit të ligjit për barazi gjinore me shumicë prej 77 votash pro, kanë vërshuar një sërë kritikash nga organizata të ndryshme në mbrojtje të familjes tradicionale, por reagime ka pasur edhe nga përfaqësues të klerit shqiptar të të gjitha besimeve fetare.Me tone kritike ka reaguar edhe Dom Mark Pashkja, i cili në një postim në rrjetin social Facebook ndër të tjera ka shkruar:

“Ligji i shumëpërfolur për barazinë gjinore u miratua. Ashtu shpejt e shpejt, në orët e vona të natës, pa diskutim dhe me një shpejtësi rrufe. Shtatëdhjetë e shtatë burra dhe gra votuan një ligj sipas të cilit gjinia nuk përcaktohet më nga tërësia e tipareve natyrore që dallojnë mashkullin nga femra, por nga rolet e ndërtuara në kontekstin shoqëror. Ne që e refuzojmë, na thonë se nuk e kemi lexuar ose nuk e kuptojmë.

Është shumë e çuditshme sesi, pas çdo drafti që ndryshonte dy a tri herë për të mos ndryshuar në thelb fare, individë dhe aktivistë të komunitetit LGBTQ+ përpiqeshin të na bindnin se nuk është ashtu siç duket. Megjithatë, ligji kaloi.

Të gjithë deputetët që e miratuan nuk duhet të harrojnë se, përpara se të jenë politikanë, janë ose do të jenë prindër. Në rastin më të thjeshtë, edhe ata vetë vijnë nga prindër mashkull e femër, nga nënë dhe baba. Hapësirat që ky ligj lë për deformime të mëvonshme, në këtë kontekst, janë mëse të qarta. Mos harroni se liria e ndërgjegjes është gjëja më e shenjtë për njeriun dhe ajo i jep atij dinjitetin.

Në raste festash fetare ju kam parë tek përpiqeni me shumë kujdes të gjeni foto kishash apo xhamish; po aq kujdes tregoni edhe në zgjedhjen e fjalëve për të uruar Bajramin apo Pashkët. Por ky ligj që miratuat është krejt e kundërta e asaj që predikohet në këto institucione dhe që përcillet përmes këtyre festave.

Nëse arrini të gjeni fjalët e duhura për t’u justifikuar, mos harroni: Zoti e di të vërtetën. Atë nuk mund ta gënjejmë. Ai e di se ka vetëm një të vërtetë.

Nuk dua dhe nuk kam për qëllim të mas fenë, besimin apo mosbesimin e askujt, por ju lutem të paktën për Bajram e për Pashkë, na i kurseni urimet. Heshtja vlen më shumë se hipokrizia.”



Të ndryshme
Më shumë
Njëra deputete, tjetra këngëtare, i gjeni dot kush janë? 2 September 2021
William dhe Kate festojnë 14 vjet martesë me një udhëtim romantik në Skoci30 April 2025
“Babis transportonte drogë për kartelet, vrau gruan pasi ajo e zbuloi” 2 July 2021