Të mërkurën më 12 nëntor, me fillim nga ora 11:00, te Amfiteatri “Alajdin Abazi” (LH-2), Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë,Biblioteka “Max van der Stoel” organizon festivalin “Krijimtari inkluzive: festival për të gjithë”. Ky festival është një mundësi për të parë buzëqeshjet, për të ndjerë dashurinë dhe për të mësuar nga fëmijët me aftësi të veçanta. Në këtë ditë të veçantë, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të veçanta do të ndajnë përvoja përmes artit për të gjithë.
Koordinatorja e projekti Elmedina Abdulahi për Portalb.mk tha se ky festival është një mesazh i fuqishëm për respekt, solidaritet dhe dashuri ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta, prindërve dhe edukatorëve të tyre.
“Qëllimi i festivalit “Krijimtari inkluzive: festival për të gjithë” është të promovojë krijimtarinë, diversitetin dhe përfshirjen shoqërore. Ne besojmë se çdo institucion ka një rol të rëndësishëm në kultivimin e përgjegjësisë sociale dhe në hapjen e hapësirave ku secili ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar. Ky festival është më shumë se një shfaqje artistike është një mesazh i fuqishëm për respekt, solidaritet dhe dashuri ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta, prindërve dhe edukatorëve të tyre, të cilët për ne janë heronj të vërtetë të përditshmërisë”, tha Abdulahi.
Ajo shtoi se çdo fëmijë meriton të ndihet i pranuar, i dashur dhe i vlerësuar për atë që është sepse vetëm atëherë shoqëria jonë bëhet më njerëzore.
“Ka ende shumë mungesë për aktivitete të tilla, ku fëmijët me aftësi të veçanta shihen dhe trajtohen si pjesë e barabartë e komunitetit. Për këtë arsye, ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me paralelet speciale të Shkollës Fillore “Liria”, duke përfshirë studentët e Psikologjisë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore, si dhe prindërit dhe edukatorët e tyre. Gjatë shtatë javëve të fundit, u zhvilluan takime, ushtrime fizike, aktivitete edukativo-arsimore dhe kulturore, të gjitha me shumë dashuri, kujdes dhe përkushtim për të gjithë pjesëmarrësit. Mesazhi që dëshirojmë të përcjellim është shumë njerëzor, çdo fëmijë meriton të ndihet i pranuar, i dashur dhe i vlerësuar për atë që është. Ky festival synon të na kujtojë se përfshirja nuk është vetëm detyrë institucionale, por përgjegjësi e përbashkët shoqërore. Përmes artit, krijimtarisë dhe emocioneve të fëmijëve, duam të ngjallim empati, mirëkuptim dhe respekt për diversitetin. Ky është një mesazh dashurie, solidariteti dhe shprese; se vetëm kur i japim hapësirë secilit, shoqëria jonë bëhet më e plotë dhe më njerëzore”, tha Abdulahi.
Në këtë aktivitet janë përfshirë studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore drejtimi Psikologji, nën mentorimin e Arafat Shabanit, si dhe nxënësit e paraleleve të veçanta të Shkollës Fillore Komunale “Liria” në Tetovë.
Në program marrin pjesë:
Në fund të festivalit, Shabani, do të paraqesë përfundime dhe rekomandime për institucionet arsimore dhe shoqërore, që synojnë të forcojnë mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta, përfshirjen e tyre në jetën arsimore dhe kulturore, si dhe zhvillimin e politikave më të qëndrueshme për familjet dhe kujdestarët.
Këto rekomandime do t’u përcillen të gjitha shkollave dhe institucioneve relevante, si nxitje për reflektim dhe veprim të përbashkët drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse.