Nga Vendi
22 November 2025
Mickoski uron 22 Nëntorin: Komuniteti shqiptar, me gjuhën, kulturën dhe vlerat e tij, është pjesë thelbësore e shtetit tonë

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski sot nga mbledhja solemne e qeverisë, ka uruar bashkëqytetarët shqiptarë për 22 Nëntorin - Festën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. 

"Suksesi është projekt i përbashkët. Vetëm nëse veprojmë me respekt, besim dhe përgjegjësi mund të arrijmë rezultate që e shtyjnë atdheun përpar. Në Kongresin e vitit 1908, intelektualët shqiptarë bënë një hap të madh drejt krijimit të një alfabeti të unifikuar, themel i kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një akt me rëndësi të thellë evropiane, një akt modernizimi të arsimit dhe hapjeje. Në një periudhë kur Ballkani po përballej me sfida të mëdha, Kongresi i Manastirit tregoi se fuqia e një shoqërie buron nga njohuria, gjuha dhe besimi në të ardhmen”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se kjo ditë është e rëndësishme edhe për Maqedoninë.

“Maqedonia është shtëpi e diversiteteve, që nuk na ndajnë, por pasurojnë historinë tonë kombëtare. Komuniteti shqiptar, me gjuhën, kulturën, traditën dhe vlerat e tij, është pjesë thelbësore e shtetit tonë. Sot, duke shënuar Ditën e Alfabetit, nderojmë gjeneratat që luftuan për arsimin, shkrimin dhe zhvillimin kulturor, por edhe të gjithë ata që e vazhdojnë këtë rrugë sot. Prandaj, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndër-etnik, krijojnë hapësirë për zhvillimin dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe forcojnë kohezionin mes qytetarëve tanë. Kemi ambicie të ndërtojmë një shoqëri ku të rinjtë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, romë, vllehë dhe të gjithë të tjerët të shohin të ardhmen e tyre këtu. Një shoqëri ku çdo gjuhë është urë e jo pengesë, forcë e jo ndarje, pasuri e jo sfidë”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi se Qeveria po punon aktivisht për projekte që krijojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, me institucione që kujdesen për barazinë dhe integrimin.



Të ndryshme
Më shumë
Njihuni me personin e vetëm në botë që ka të drejtë të vozisë pa patentë shoferi13 August 2021
Reagon Vetëvendosje: Albin Kurti nuk merr pagë 2 mijë e 700 euro 1 July 2021
BDI kërkon nga partitë të mbështesin idenë e tyre për veting ndaj të gjithë funksionarëve – Mexhiti: BDI-ja nuk ka të drejtë morale të kërkojë veting29 July 2025