Organizatorët e protestës i janë drejtuar me një letër ambasadave të vendeve mike në Tiranë, ku dënojnë përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së 2 korrikut, duke e cilësuar atë joproporcionale dhe në kundërshtim me të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Ata kërkojnë hetim të pavarur për çdo rast të dyshuar të tejkalimit të kompetencave, si edhe lirimin e protestuesve të arrestuar. Në deklaratë thuhet se protesta është një e drejtë themelore kushtetuese dhe se "çdo përpjekje për ta frikësuar, penguar apo shtypur këtë të drejtë përmes përdorimit të forcës përbën një cenim të demokracisë dhe të lirive themelore". Organizatorët dënojnë përdorimin e gazit lotsjellës, shtyrjet dhe goditjet ndaj protestuesve, duke i cilësuar këto veprime të papranueshme. Ata i referohen edhe monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit administrimi i protestës ka ngritur shqetësime serioze për tejkalim të kompetencave nga Policia e Shtetit dhe përdorim të forcës në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Grupi Koordinues shpreh shqetësim edhe për kontrollet e raportuara ndaj qytetarëve që synojnë t'i bashkohen protestës së radhës, duke i cilësuar ato si forma presioni dhe intimidimi. Njëkohësisht, u bën thirrje Policisë së Shtetit të garantojë zhvillimin paqësor të protestës dhe qytetarëve të ruajnë karakterin paqësor të tubimit, duke përsëritur kërkesën: "Lironi çunat!" Burimi: Top Channel