Prindërit e viktimave nga tragjedia në Koçan u bënë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen më 29 nëntor në Koçan, “Marshit të Engjëjve”, që do të nisë në orën 14:05 nga Parku i Revolucionit. Ata theksojnë se Marshimi nuk është protestë, por një zë kundër padrejtësisë dhe një kujtesë se shoqëria duhet të tregojë ndërgjegje.
Ndërkohë, në Gjykatën Penale në Idrizovë, seanca për rastin “Puls” u shty sërish.
Një pjesë e avokatëve të mbrojtjes njoftuan se nuk e kanë pranuar aktakuzën e integruar dhe, për këtë arsye, nuk mund të deklarohen për fajësinë, as të paraqesin fjalët hyrëse. Disa mbrojtës paralajmëruan se aktakuza përmban ndryshime që, sipas tyre, ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat e mbrojtjes.
Personat e dëmtuar unanimisht iu bashkuan ndjekjes penale dhe sërish kërkuan zgjerimin e hetimeve, me mundësi përfshirjeje në përgjegjësi edhe të institucioneve.
Në seancë u paraqitën edhe informacione të reja për pasojat shëndetësore te të mbijetuarit. Edhe pse fillimisht nuk shfaqën lëndime të dukshme, muajt e fundit disa prej tyre kanë zhvilluar vështirësi në frymëmarrje, lodhje kronike dhe simptoma të tjera serioze, të cilat mjekët i lidhin me ekspozimin e zgjatur ndaj tymit dhe substancave toksike gjatë zjarrit.
Tragjedia në “Pulse”, që mori 63 jetë dhe la mbi 200 të plagosur, vazhdon të rëndojë mbi komunitetin. Familjet kërkojnë përgjegjësi të qartë, mbështetje afatgjatë dhe reforma në standardet e sigurisë. Marshimi i 29 nëntorit është mënyra e tyre për të kujtuar se beteja për drejtësi nuk ndalet dhe se besimi te institucionet duhet të fitohet.