Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Akim Ali, shefin e Zyrës së OBSH-së në RMV, sot nënshkruan Strategjinë pesëvjeçare të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për periudhën 2026–2030. Me një lidhje online në ngjarje foli edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge.
“Sot hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Nënshkruam strategjinë tonë të parë pesëvjeçare të bashkëpunimit, një dokument i hartuar bashkërisht me të gjitha institucionet dhe partnerët, i cili do t’i udhëheqë reformat në shëndetësi deri në vitin 2030. Strategjia fokusohet në modernizimin e kujdesit shëndetësor primar, transformimin e plotë digjital, përmirësimin e kujdesit për nënën dhe fëmijën, shëndetin mjedisor dhe qëndrueshmërinë klimatike, në përputhje me agjendën ‘e gjelbër’ të Qeverisë”, theksoi ministri Aliu pas nënshkrimit.
Me strategjinë janë të përfshira gjithashtu mbrojtja e grupeve të cenueshme, planifikimi i burimeve njerëzore në shëndetësi, shëndeti publik, siguria shëndetësore dhe rritja e gatishmërisë ndaj situatave krizë.
“Strategjia na mundëson një plan të qartë, partneritet dhe mbështetje për realizimin e përbashkët të reformave kryesore”, potencoi ministri. Ai veçoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërsektorial dhe përkrahjen nga sektorët e tjerë, duke theksuar se kjo Strategji e bashkon të gjithë sistemin qeveritar rreth objektivave për shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj OBSH-së, ministrive dhe partnerëve për kontributin e tyre. Me këtë Strategji vendosim themelet për një shëndetësi më të fortë, më moderne dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Kjo është dëshmi simbolike e vullnetit të fuqishëm politik, përkushtimit kombëtar dhe partneritetit të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për realizimin e reformave kyçe në shëndetësi”, theksoi ministri Aliu.