Nga Rajoni
17 January 2026
Atentati i 17 janarit 1982 në Gjermani: Ekzekutimi politik i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, u krye një atentat i rëndë politik ndaj veprimtarëve shqiptarë në ekzil Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Sulmi ndodhi në orët e mbrëmjes, në momentin kur ata po largoheshin me makinë nga garazhi i banesës së tyre.

Sipas autoriteteve gjermane, dy persona të panjohur hapën zjarr nga një distancë shumë e afërt ndaj automjetit BMW ku ndodheshin tre veprimtarët. Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, u qëllua me gjashtë plumba dhe vdiq në vend. Kadri Zeka u vra nga dy goditje me armë zjarri, ndërsa Jusuf Gërvalla, 36 vjeç, u plagos rëndë dhe ndërroi jetë më vonë si pasojë e plagëve.

Policia gjermane konstatoi se mbi ta ishin shkrepur gjithsej 12 plumba të kalibrit 7.65, shumica në zona jetike si zemra, mushkëritë dhe qafa. Një oficer policie e përshkroi ngjarjen si “një ekzekutim të mirëorganizuar”, tipik për operacione të shërbimeve sekrete.

Revista gjermane Der Spiegel (25 janar 1982) theksoi se viktimat ishin shqiptarë nga Kosova dhe veprimtarë politikë kundër regjimit të Beogradit, duke e lidhur atentatin drejtpërdrejt me përplasjet mes shërbimit sekret jugosllav (UDB) dhe kundërshtarëve të regjimit në ekzil. Edhe vetë Jusuf Gërvalla, para se të ndërronte jetë, dyshohet se i ka thënë policisë: “Ka qenë UDB-ja”.

Atentati ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës konsiderohet si një nga krimet më të rënda politike ndaj mërgatës shqiptare dhe simbol i luftës së përgjakshme të regjimit jugosllav kundër zërit të rezistencës shqiptare në Evropë.



Të ndryshme
Më shumë
Dy shtete të fuqishme garantojnë për lirimin e Thaçit nga paraburgimi24 July 2021
Gashi në pritje të propozimit të kryeministrit për ministrin e ri të Shëndetësisë: “Vendimi do të merret menjëherë sapo të arrijë”27 May 2025
Shqiptarët e bashkuar, mund të bëjnë mrekulli!29 June 2020