Një valë masive emigrantësh drejt enklavës spanjolle të Ceutës ka rikthyer në vëmendje tensionet diplomatike mes Madridit dhe Rabatit, ndërsa në sfond mbetet edhe konflikti i pazgjidhur për Saharanë Perëndimore. Autoritetet spanjolle kanë ngritur dyshime se lehtësimi i kontrolleve nga pala marokene mund të ketë ndikuar në rritjen e menjëhershme të fluksit. Sipas ministrit të Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, rreth 50 mijë emigrantë të parregullt kanë hyrë në Ceuta brenda 24 orëve. Mediat spanjolle e lidhin situatën edhe me marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve, veçanërisht pas afrimit të Spanjës me Algjerinë, rivalin kryesor të Marokut në rajon. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez vizitoi Algjerinë më 20 korrik, në një përpjekje për të rikthyer marrëdhëniet me një vend që është gjithashtu furnizues i rëndësishëm i gazit për Spanjën. Kriza migratore vjen në një kohë kur çështja e Saharasë Perëndimore vazhdon të mbetet një pikë e ndjeshme në marrëdhëniet mes Madridit dhe Rabatit. Në vitin 2022, Spanja ndryshoi qëndrimin e saj të mëparshëm dhe mbështeti planin maroken për autonominë e territorit, duke shkaktuar përplasje diplomatike me Algjerinë. Disa zëra në Marok kanë hedhur akuza se emigracioni po përdoret si mjet presioni politik ndaj Spanjës. Abdullah Abaakil, zv/sekretar i Partisë Socialiste të Bashkuar Marokene, deklaroi se autoritetet marokene “kanë lejuar kalimin e emigrantëve” për t’i dërguar një mesazh qeverisë spanjolle. Ndërkohë, pas fluksit të fundit qëndrojnë edhe faktorë ekonomikë dhe socialë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, papunësia tek të rinjtë marokenë të moshës 15 deri në 24 vjeç është afër 30%, çka shihet si një nga arsyet kryesore që shumë të rinj kërkojnë mundësi më të mira jetese jashtë vendit. Kriza e fundit kujton atë të majit 2021, kur më shumë se 10 mijë emigrantë hynë në Ceuta brenda dy ditësh, në kulmin e një tjetër përplasjeje diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.