Nga Rajoni
21 January 2026
Liderët shqiptarë në rajon përkujtojnë Dr. Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta

Liderë të politikës shqiptare në Kosovë dhe rajon kanë kujtuar sot Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar rolin e tij themeltar në shtetndërtimin e Kosovës, filozofinë e rezistencës paqësore dhe trashëgiminë e qëndrueshme politike.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Dr. Rugova mbetet figurë unifikuese dhe simbol i përhershëm i lirisë dhe paqes.

“Nderim i përjetshëm për Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, atin themeltar të Republikës sonë, njeriun që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Ai mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme”, ka shkruar Osmani.

 

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar Rugovën si figurë kyçe të shtetformimit dhe vizionit politik shqiptar, duke theksuar orientimin e tij euroatlantik dhe rolin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

“Sot përkujtojmë përvjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, figurë themelore e shtetformimit dhe vizionit politik shqiptar. Trashëgimia e tij vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe sot, në një kohë sfidash të reja për Kosovën dhe kombin shqiptar”, është shprehur Ahmeti, duke shtuar se Rugova “me mençuri, durim dhe vizion evropian ndërtoi themelet e diplomacisë kosovare”.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një përkujtim të gjatë dhe të detajuar, ka rikujtuar rolin historik të Rugovës si Presidenti i Parë i Kosovës dhe lideri që e lidhi periudhën e pluralizmit, demokratizimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës me emrin e tij.

“Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi”, ka theksuar Kurti, duke nënvizuar se orientimi perëndimor dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës mbeten merita të padiskutueshme të Presidentit Rugova.

 

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim reflektues, duke e cilësuar Rugovën jo si figurë të së shkuarës, por si mendim dhe standard që vazhdon të sfidojë politikën e sotme.

“Rugovën nuk mund ta përshkruajmë si një figurë për fotografi, por si mendim që duhet kuptuar. Ai nuk është slogan, nuk është britmë. Ai është proces, është rrugë e gjatë, është durim që nuk dorëzohet”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se trashëgimia e Rugovës mbetet një pyetje e hapur për brezat e sotëm: “çfarë po bëjmë ne me atë që na la?”

 

Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, figura e Dr. Ibrahim Rugovës u rikujtua si themel i shtetit të Kosovës, simbol i rezistencës paqësore dhe orientimit perëndimor, si dhe një trashëgimi politike që vazhdon të mbetet pikë reference për të tashmen dhe të ardhmen e politikës shqiptare.



Të ndryshme
Më shumë
Kush ja bën fotot provokuese? Ledina Çelo: Burri ka hequr dorë29 July 2021
Gjuriq: Ka kaluar koha kur shqiptarët ishin të vetmit që lobonin në Washington 8 October 2021
Nora Gjakova deklarohet me shumë emocione për medaljen e artë në Lojërat Olimpike26 July 2021