Nga Bota
8 February 2026
Elon Musk dhe Starlink ngadalësojnë ofensivën ruse në Ukrainë, Kievi mban pozicionet

Përparimi i ushtrisë ruse në Ukrainë po rezulton shumë më i ngadalshëm nga sa kishte parashikuar Kremlini, ndërsa një nga faktorët kyç që po ndikon drejtpërdrejt në terren lidhet me vendimin e Elon Musk për të bllokuar përdorimin e sistemit satelitor Starlink nga ana e Rusisë.

 

Në skenarët e Vladimir Putinit, njësitë ruse duhej ta kishin marrë tashmë të gjithë Donbasin dhe të kishin rrethuar Zaporizhian, duke e detyruar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të kërkonte armëpushim. Por realiteti në front është ndryshe: forcat ukrainase po qëndrojnë fuqishëm në mbrojtje dhe në disa zona kanë kaluar edhe në kundërsulm.

 

Sipas të dhënave të analistëve ushtarakë ukrainas të platformës “Deep State”, ritmi i ofensivës ruse ka pësuar rënie të ndjeshme. Në muajin nëntor Rusia pushtoi rreth 505 kilometra katrorë territor, në dhjetor 445 kilometra katrorë, ndërsa në janar vetëm 245 kilometra katrorë. Pavarësisht këtij ngadalësimi, humbjet në njerëz dhe pajisje mbeten të larta, duke treguar se Moska po shpenzon të njëjtat burime për rezultate dukshëm më të kufizuara.

 

Një tjetër faktor që po rëndon operacionet ruse është moti ekstremisht i ftohtë. Trupat sulmuese ruse detyrohen të dalin nga bunkerët dhe llogoret për të avancuar në terren të hapur, duke u përballur me temperatura ngrirëse, ndërsa ushtria ukrainase përfiton nga pozicionet e fortifikuara mbrojtëse.

 

Megjithatë, sipas Institutit për Studimin e Luftës në Uashington, goditja më e ndjeshme për Rusinë ka ardhur pas vendimit të Elon Musk për të kufizuar aksesin në Starlink. Mungesa e këtij sistemi satelitor ka dobësuar ndjeshëm komunikimin dhe koordinimin e njësive ruse në vijën e frontit, duke i “verbuar” ato dhe duke detyruar komandantët rusë të reduktojnë intensitetin e sulmeve.



Të ndryshme
Më shumë
Zhëlinë: Pas zgjedhjeve, vazhdojnë punimet në aksin Çiflik–Dëbërcë24 November 2025
Dr. Florin Besimi, nga Sheshi “Iliria”: Tetova i thotë fuqishëm po Kryeministrit shqiptar!!10 July 2020
Shkup: Dy persona humbin jetën në një aksident tragjik23 May 2025