Nga Vendi
9 February 2026
Iseni: Trafikimi i qenieve njerëzore, krim i rëndë që kërkon reagim të koordinuar institucional

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, hapi sot në Qendrën e Trajnimit – Idrizovë një trajnim të specializuar mbi luftën kundër shfrytëzimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, ku po marrin pjesë 12 nëpunës policorë dhe prokurorë publikë. Trajnimi do të zhvillohet nga 9 deri më 12 shkurt, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Në fjalën e tij, Iseni theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore përfaqëson një nga format më serioze të krimit të organizuar, i cili cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e viktimave. Ai nënvizoi se përballja me këtë fenomen kërkon një qasje të integruar dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për parandalim, zbulim dhe ndëshkim efektiv.

Sipas Isenit, qëllimi i trajnimit është pajisja e pjesëmarrësve me njohuri praktike për identifikimin e treguesve të këtyre krimeve, veprimin e duhur në rastet e dyshimit, si dhe sigurimin e mbrojtjes dhe mbështetjes në kohë për viktimat. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet policisë, gjykatave dhe prokurorëve.

Në hapjen e trajnimit morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Francës në Shkup, Kristof De Rigoler, si dhe drejtoresha e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Irina Strezoski. Iseni shprehu mirënjohje ndaj Ambasadës së Francës për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të nëpunësve policorë.



Të ndryshme
Më shumë
Edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve policia do të përdorë dronë për të ndjekur sigurinë29 October 2025
Policia ndërhyn për të shpërndarë protestuesit tek Unaza, nisin përplasjet10 March 2022
Një trup si i Xhensilës! Këngëtarja ‘leksion’ vajzave nga palestra 12 September 2020