Nga Vendi
12 February 2026
Donacion nga OSBE për Klinikën e Gjinekologjisë në Çair: Shërbime falas dhe certifikata lindjeje për nënat pa shtetësi

Klinika e Gjinekologjisë në Çair ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në kuadër të një aksioni të përbashkët institucional që synon mbështetjen e nënave pa shtetësi dhe regjistrimin e të porsalindurve.

Drejtoresha e Klinikës, Meral Uzeiri Ferati, bëri të ditur se kjo nismë është pjesë e bashkëpunimit të nisur në vitin 2025 ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.

“Sot në Klinikën e Gjinekologjisë në Çair pranuam një donacion të rëndësishëm nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në kuadër të aksionit të përbashkët të nisur në vitin 2025 ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë dhe Misionit të OSBE-së në Shkup”, – theksoi ajo.

Sipas saj, iniciativa ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore falas për nënat – persona pa shtetësi, si dhe pajisjen e të porsalindurve me certifikatë lindjeje, në përputhje me nenin 4-a të Ligjit për Evidencën Amë.

“Me këtë mbështetje po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor dhe të drejtat themelore të njeriut për çdo fëmijë dhe çdo nënë. Besojmë se çdo i porsalindur meriton identitet, përkujdesje dhe një të ardhme të sigurt, ndërsa çdo nënë – shërbim shëndetësor dinjitoz dhe në kohë”, – u shpreh Uzeiri Ferati.

Ajo shprehu mirënjohje për Misionin e OSBE-së në Shkup dhe institucionet e përfshira, duke theksuar se bashkëpunime të tilla kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më humane dhe më gjithëpërfshirëse.



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni, miratohen protokollet për në shkolla26 August 2020
Hoxha thotë se është mëkat i madh për gruan që të refuzojë seksin30 September 2021
Filipçe jep lajmin e fundit për ardhjen e vaksinave dhe hapjen e pikave të vaksinimit21 June 2021