Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, lidhur me Prizrenin, duke e cilësuar retorikën e tillë si nxitëse dhe potencialisht të rrezikshme.
Hoxha ka paralajmëruar se deklaratat politike nuk duhen parë vetëm si retorikë, pasi ato mund t’u japin zemër personave të gatshëm t’i kthejnë fjalët në veprime.
Ai e ka përmendur sulmin në Banjskë si shembull të rrezikut që paraqesin deklaratat e tilla, duke theksuar se llogaridhënia e plotë për këtë rast ende mungon.
“Një gjuhë e tillë nxitëse mund të shpërfillej si retorikë politike, po të mos ekzistonte rreziku shumë real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në përputhje me të”, ka shkruar Hoxha.
Kryediplomati shqiptar ka theksuar se Shqipëria vazhdon të mbështesë dialogun, bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për pajtim, por ka shtuar se bashkëpunimi nuk mund të jetë i qëndrueshëm kur mohohen realitetet ose përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.
“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë”, ka deklaruar ai.
Hoxha ka nënvizuar se Kosova duhet të ketë një të ardhme të karakterizuar nga paqja, siguria dhe integrimi evropian, duke theksuar se ajo është shtëpi për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike.