Nga Vendi
12 February 2026
Kuvendi i Lëvizjes Besa shkarkon Kryesinë Qendrore

Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa, me shumicë votash, ka miratuar vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të partisë, në kuadër të procesit të nisur për bashkimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik.

Sipas njoftimit, Kuvendi vlerësoi se ky hap është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë strukturimit të VLEN-it, duke u bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake të subjekteve që përbëjnë këtë koalicion.

Me këtë rast, Kuvendi autorizoi kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, që të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it. Ai mori mbështetje për bashkimin në një subjekt të vetëm, me theks në një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe reflekton vullnetin e votuesve të VLEN-it dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Në mbledhje u diskutua edhe puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri. Kuvendarët mbështetën qëndrimin e kryetarit Kasami se partia ka kapacitet për të realizuar më shumë sesa është arritur deri më tani.

Analiza e punës së funksionarëve do të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa konstatimet pritet të reflektohen në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë.

Lëvizja Besa theksoi se postet qeveritare i konsideron si mjet për të ofruar shërbim sa më efikas ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj shqiptarëve, duke nënvizuar se vendimet e ardhshme do të udhëhiqen nga ky parim.



Të ndryshme
Më shumë
Inteligjenca doganore parandalon 45 persona që të ikin nga izolimi përmes aeroporteve të Shkupit dhe Ohrit25 August 2021
Moti me diell dhe vranësira të vogla21 September 2020
Protesta e PD para Kryeministrisë/ Berisha e quan ‘Foltore 2’, zbulon misionin e saj17 November 2025