SHBA hap tregun, RMV heq doganat dhe nis blerjen e gazit amerikan
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë arritur një Marrëveshje kornizë për tregti reciproke, korrekte dhe të balancuar, duke shënuar një fazë të re në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Sipas njoftimit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, marrëveshja synon forcimin e marrëdhënieve tregtare, rritjen ekonomike dhe thellimin e partneritetit transatlantik.
Çfarë parashikon marrëveshja?
✔️ Zero doganë për mallrat amerikane – Maqedonia e Veriut do të pezullojë tarifat për të gjitha produktet industriale dhe bujqësore që importohen nga SHBA.
✔️ Tarifa 15% për mallrat nga RMV – SHBA do të mbajë tarifat ekzistuese prej 15% për mallrat me origjinë nga Maqedonia e Veriut, me mundësi rishikimi për produkte të caktuara që mund të përfitojnë tarifë zero.
✔️ Fokus në energji – Dy vendet po shqyrtojnë ndërtimin e një ndërlidhësi të ri gazi mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që do t’i hapë rrugë importit të gazit natyror të lëngshëm amerikan (LNG). Pas përfundimit të këtij projekti, RMV pritet të nisë blerjen e LNG nga SHBA.
✔️ Heqje barrierash jotarifore – Do të punohet për eliminimin e pengesave administrative që ndikojnë në tregtinë dypalëshe, veçanërisht në sektorin bujqësor.
✔️ Standardet mjedisore dhe digjitale – Maqedonia e Veriut obligohet të ruajë standarde të larta mjedisore dhe të mos vendosë taksë mbi shërbimet digjitale, duke mbështetur një moratorium të përhershëm në OBT për tarifat mbi transmetimet elektronike.
✔️ Siguri ekonomike dhe zinxhir furnizimi – Marrëveshja parasheh koordinim në kontrollet e investimeve, eksportit dhe mbrojtjen e pronës intelektuale.
Marrëveshja pritet të finalizohet dhe të kalojë procedurat përkatëse para hyrjes në fuqi, ndërsa konsiderohet si një hap strategjik për diversifikimin energjetik dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes Shkupit dhe Uashingtonit.