Nga Rajoni
18 February 2026
Deklarata e Tiranës: Korridori VIII shpallet arterie strategjike për BE-në dhe sigurinë rajonale

Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipëria, Bullgaria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Rumania nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Tiranës për Korridorin VIII, duke e cilësuar atë si bosht strategjik Lindje–Perëndim që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe si komponent kyç të rrjetit evropian Trans-European Transport Network (TEN-T).

Në deklaratë theksohet se Korridori VIII ka “domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë”, duke kontribuar në kohezionin evropian dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Palët riafirmuan se zbatimi i koordinuar dhe në kohë i projektit do të adresojë boshllëqet e kahershme të ndërlidhjes në Evropën Juglindore, duke rritur besueshmërinë e angazhimit të BE-së në rajon.

Dokumenti vë në pah edhe dimensionin e sigurisë, duke e konsideruar Korridorin VIII prioritet për rritjen e lëvizshmërisë ushtarake dhe qëndrueshmërisë infrastrukturore, në kuadër të bashkëpunimit të forcuar BE–NATO. Në tekst dënohet fuqishëm agresioni rus kundër Ukrainës dhe mbështeten përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Sa i përket integrimit ekonomik, ministrat nënvizojnë se Korridori VIII “lehtëson flukset tregtare, përmirëson efikasitetin logjistik dhe forcon zinxhirët rajonalë dhe evropianë të furnizimit”, duke e bërë rajonin më të qëndrueshëm edhe në kohë krizash.

Në pjesën për zbatimin, palët angazhohen të mobilizojnë fonde nga instrumentet e BE-së, përfshirë Connecting Europe Facility (CEF), IPA III dhe Western Balkans Investment Framework (WBIF), si dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe partneritetet publike-private.

Deklarata konfirmon konsolidimin e formatit pesëpalësh si platformë e strukturuar politike për avancimin e projektit, me synim shndërrimin e Korridorit VIII në një arterie plotësisht funksionale të ndërlidhjes dhe sigurisë evropiane.



Të ndryshme
Më shumë
“Për fushatë s’pati kufizime, të mendojnë edhe për pronarët e klubeve” flet menaxheri Rinor Hykolli për protestën e 14 korrikut 9 July 2021
Ratkoceri: Fituesi më i madh i zgjedhjeve është Lëvizja BESA18 October 2021
Protestat në Serbi, 43 policë të lënduar 8 July 2020