Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, ka kujtuar sot 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, duke e cilësuar atë si një ndër aktet më të rëndësishme të rezistencës politike në historinë moderne të vendit.
Më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera, duke hyrë në grevë urie. Atyre iu bashkuan edhe minatorët e ndërrimeve të tjera, duke arritur në rreth 1300 grevistë, me thirrjen e fuqishme “Kosova Republikë”.
Greva zgjati deri më 28 shkurt, me 10 kërkesa të parashtruara, përfshirë edhe shqyrtimin e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo lëvizje pasoi organizime të mëhershme të minatorëve, si marshimi i 17 nëntorit 1988 nga Stantërgu në Prishtinë dhe parullat e vitit 1983 “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”.
Pas përfundimit të grevës më 1 mars 1989, miniera u mbyll dhe 15 minatorë u arrestuan e u dënuan me nga 14 muaj burgim. Vetëm tre javë më pas, më 23 mars 1989, Serbia suprimoi autonominë e Kosovës, duke shënuar fillimin e një periudhe represioni që përfundoi me çlirimin e vendit në qershor 1999.
Kurti theksoi se sakrifica e minatorëve mbetet themel i shtetndërtimit dhe i Republikës së Kosovës, duke nënvizuar se historia është baza e shtëpisë politike të vendit.