Nga Vendi
26 February 2026
22 vjet nga ndarja e Boris Trajkovskit, portreti i një presidenti në kohë krize

Më 26 shkurt 2004, në një aksident ajror pranë Mostarit në Bosnje dhe Hercegovinë, humbi jetën Boris Trajkovski, presidenti i dytë i Republikës së Maqedonisë. Sot, 22 vjet më pas, figura e tij rikujtohet si një nga emrat më të lidhur me periudhën më të ndjeshme të shtetformimit dhe stabilitetit politik në vend.

I lindur më 25 qershor 1956 në Murtino, afër Strumicës, në një familje metodiste, Trajkovski u diplomua në Fakultetin Juridik të Universiteti Shën Kirili dhe Metodi në Shkup në vitin 1980. Përvoja e tij përfshiu edhe studime teologjike protestante në Shtetet e Bashkuara, element që ndikoi në profilin e tij publik si politikan me qasje dialoguese dhe me theks te toleranca.

Para zgjedhjes president, ai shërbeu si zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe ishte pjesë e strukturave të VMRO-DPMNE. Në nëntor 1999 u zgjodh President i Republikës, në një periudhë kur vendi përballej me sfida të mëdha të brendshme dhe të jashtme.

Mandati i tij u dominua nga kriza e vitit 2001, konflikt i armatosur që rrezikoi stabilitetin e shtetit. Trajkovski luajti rol aktiv në procesin politik që çoi drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që vendosi bazat për rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe për reforma kushtetuese. Ai u shqua për angazhimin e tij në promovimin e dialogut dhe për orientimin e qartë drejt integrimit euroatlantik.

Vdekja e tij e papritur në moshën 47 vjeçare ndërpreu një mandat që po zhvillohej në një periudhë tranzicioni të ndjeshëm për vendin. Për shumëkënd, ai mbetet një figurë që u identifikua me përpjekjet për stabilitet institucional dhe për ndërtimin e një kulture politike më të moderuar.

Në 22 vjetorin e ndarjes së tij, emri i Boris Trajkovskit vazhdon të jetë pjesë e kujtesës institucionale dhe historike të vendit, si një president që drejtoi në kohë sfidash të mëdha dhe që lidhet ngushtë me kapitullin e Marrëveshjes së Ohrit dhe proceset e konsolidimit shtetëror.



Të ndryshme
Më shumë
Më 6 gusht shpallen zgjedhjet lokale në Maqedoni30 July 2021
Zaev: Pas Ohrit, vendi ynë po ndërton politika të pjekura13 August 2021
Arsovski: Pozicioni i Bullgarisë është skizofrenik, qeveria duhet të reagojë më ashpër 1 July 2021