Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është shkarkuar nga detyra, sipas burimeve jo zyrtare që konfirmojnë lëvizjen në krye të institucionit më të lartë të rendit në vend. Vendimi vjen pas kritikave të forta lidhur me menaxhimin e protestës së opozitës dhe djegien e ish vilës së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë.
Shqetësimi për situatën është reflektuar edhe nga ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila ka zhvilluar një mbledhje urgjente analizuese me kabinetin e saj për të vlerësuar reagimin e Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës gjatë protestës. Sipas të njëjtave burime, është shkarkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Megjithatë, vendimi përfundimtar për largimin e Prodës pritet të formalizohet nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas ligjit ka kompetencën për emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ilir Proda, oficer karriere, mori detyrën më 3 tetor 2024, por mandati i tij u shoqërua me akuza të vazhdueshme nga opozita, të cilat ai i ka mohuar. Një prej pretendimeve publike ishte sekuestrimi i telefonit të tij nga SPAK, por në janar 2026 Byroja Kombëtare e Hetimit deklaroi zyrtarisht se telefoni nuk ishte sekuestruar.
Në këtë fazë tranzitore, Policia e Shtetit pritet të drejtohet nga Sokol Bizhga, deri në emërimin e drejtuesit të ri. Lëvizjet e fundit pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e sigurisë dhe në debatet politike në vend.