Nga Bota
2 March 2026
Ndërron jetë fotoreporteri i luftës Paul Conroy, zëri i së vërtetës nga vijat e frontit

Fotoreporteri i njohur britanik i luftës, Paul Conroy, ka ndërruar jetë në moshën 61 vjeçare si pasojë e një ataku në zemër në Devon, ku jetonte prej vitesh. Lajmi u bë i ditur nga media britanike, përfshirë BBC.

I lindur në Liverpool, Conroy u bë i njohur ndërkombëtarisht për raportimet nga zonat më të rrezikshme të konfliktit në botë. Në vitin 2012 ai u plagos rëndë gjatë bombardimeve të ushtrisë siriane në Homs, sulm në të cilin humbi jetën gazetarja e The Sunday Times, Marie Colvin.

Ngjarja dramatike u pasqyrua edhe në filmin A Private War, ku rolin e Conroy e interpretoi aktori Jamie Dornan. Po ashtu, dokumentari Under the Wire trajtoi arratisjen e tij nga Homs-i, ku u vra edhe fotoreporteri francez Remi Ochlik. Conroy iu nënshtrua 23 operacioneve në këmbë dhe ndërhyrjeve të tjera në bark dhe shpinë pas plagëve të marra.

Para se të bëhej fotograf profesionist, ai shërbeu për shtatë vite në Artilerinë Mbretërore britanike dhe ishte anëtar i Frontline Club. Gjatë karrierës së tij raportoi nga Libia, Ukraina dhe së fundmi ishte kthyer nga një mision në Kubë.

Vëllai i tij, Alan, u shpreh, “Ai bëri gjithë jetën atë që donte për të sjellë ndryshim dhe gëzonte duke ekspozuar padrejtësitë”.

Prezantuesi i lajmeve në BBC, Clive Myrie, deklaroi se ishte “thellësisht i tronditur” nga lajmi, duke e cilësuar Conroy-n si “një fotoreporter të mrekullueshëm dhe një njeri të mrekullueshëm”.

Gazetarja e Channel 4, Lindsey Hilsum, shtoi, “Të gjithë ne që e njihnim dhe e donim jemi të shkatërruar”.

Përveç punës në terren, Conroy bashkëpunoi edhe me këngëtaren britanike Joss Stone, duke realizuar fotografi dhe duke shkruar muzikë me të. Stone u shpreh, “Jam shumë mirënjohëse që e kam njohur dhe e konsideroj nder ta quaj mik. Paul Conroy ishte një legjendë. Gjithmonë ngrihej për atë që ishte e drejtë dhe ishte aty për ata që kishin nevojë”.

Paul Conroy lë pas gruan, tre djem dhe nipër e mbesa, ndërsa kujtimi i tij mbetet i lidhur me guximin për të treguar të vërtetën nga vijat më të rrezikshme të frontit.



Të ndryshme
Më shumë
Motra e Adelinës, Ema Ismaili habit me arsyen se pse nuk e ka bërë martesën publike28 July 2021
Qeveria dhe OBSH nënshkruan Strategjinë e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë për periudhën 2026–2030 1 December 2025
Brenda çantës mbretërore, çfarë mban gjithnjë me vete Mbretëresha Elizabeth10 August 2021