Nga Rajoni
2 March 2026
BE-ja heq të gjitha masat ndaj Kosovës, zhbllokohen mbi 200 milionë euro fonde

Bashkimi Evropian pritet që më 2 mars të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit 2023. Vendimi është marrë nga strukturat përkatëse të Komisionit Evropian dhe do të formalizohet nga shtetet anëtare në takimin e Grupit punues për Ballkanin Perëndimor, COWEB, në Bruksel.

Heqja e masave ishte paralajmëruar më herët nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me liderët e rajonit, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Nga Komisioni ishte theksuar se masat do të hiqeshin “në pjesën e hershme të vitit 2026”, ndërsa zyrtarët kishin sqaruar se “janë duke punuar në heqjen e masave të mbetura”.

Në fund të vitit të kaluar, BE-ja kishte zhbllokuar rreth 50 për qind të asistencës financiare, në vlerë prej afro 216 milionë eurosh. Me vendimin e ri, pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera nga Programet e Paraanëtarësimit dhe nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke përmbyllur në tërësi paketën e masave financiare.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur si reagim ndaj veprimeve të autoriteteve në veri të vendit, të cilat BE-ja dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, i kishin cilësuar si “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, të cilat rrisin tensionet në veri të Kosovës”.

Fillimisht, disa shtete anëtare i konsideruan masat si të kufizuara, por më pas u bë e qartë se ato përfshinin bllokimin e fondeve në vlerë prej rreth gjysmë miliardi eurosh nga programe të ndryshme evropiane. Përveç aspektit financiar, BE-ja kishte pezulluar edhe takimet në nivel të lartë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, me përjashtim të atyre në kuadër të dialogut dhe formateve rajonale.

Burime nga Komisioni Evropian bëjnë të ditur se ndërmjet 11 dhe 13 marsit Kosovën pritet ta vizitojë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Gjatë 14 muajve të mandatit të saj, ajo nuk kishte realizuar vizitë në Kosovë, ndërsa kishte vizituar vendet e tjera të rajonit. Si arsye për mungesën e vizitës ishte përmendur edhe fakti që gjatë vitit 2025 Kosova nuk kishte pasur qeveri me legjitimitet të plotë.

Me heqjen e plotë të masave financiare dhe politike, pritet të rikthehet normaliteti i marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke hapur rrugë për thellimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e proceseve integruese.



Të ndryshme
Më shumë
Murseli: Tetova është e gatshme për ndryshime të mëdha 5 October 2021
Thumbuan hapur Gracianon dhe Argjirën, çifti ironizon blogeret shqiptare28 July 2021
Aksident në rrugën Strugë - Dibër, lëndohet shoferi11 November 2025