Nga Vendi
2 March 2026
Rrjeti serb depërton thellë në biznesin e kanabisit në Maqedoni, zbardhen lidhje të reja

Rrjeti serb i trafikut të drogës nga Krushevci ka depërtuar më thellë në biznesin legal të kanabisit në Maqedoni sesa është bërë e ditur deri tani, zbulon një hulumtim i BIRN. Sipas të dhënave, përveç kompanive tashmë të përmendura në hetime, janë identifikuar edhe subjekte të tjera me lidhje direkte ose indirekte me grupin e dyshuar për kontrabandën e pesë tonëve marihuanë drejt Serbisë.

Në qendër të skandalit është kompania “Alfafarm” nga Shkupi, ku si themelues figurojnë Ivan Dragniq nga Krushevci dhe Dragan Krstev nga Shkupi. Sipas prokurorisë serbe, Dragniq dyshohet se ka pranuar marihuanën në territorin serb, ndërsa më herët ka qenë i përfshirë edhe në struktura menaxhuese të kompanive të tjera të kanabisit në vend.

Hetimet tregojnë se i njëjti rreth personash ka pasur role në disa kompani me licencë për kultivimin e kanabisit, përfshirë “Lighting Lux” në Strumicë dhe “Green Life” në Vallandovë. Qeveria së fundmi ia ka hequr licencën “Green Life” për shkak të mungesës së lules së tharë dhe paketimit joadekuat, ndërsa nga objektet e saj është konfiskuar rreth një ton marihuanë.

Nga policia maqedonase theksojnë se hetimi për mënyrën se si kanë përfunduar pesë tonët marihuanë në Serbi do të jetë i gjerë dhe do të zgjasë disa muaj, duke mos përjashtuar mundësinë e lidhjeve edhe në vende të tjera evropiane. Në ndërkohë, në Serbi po zhvillohet hetim ndaj disa personave të dyshuar për krim të organizuar, ndërsa autoritetet e dy vendeve po bashkëpunojnë për zbërthimin e plotë të rrjetit.

Rasti ka rikthyer në fokus kritikat për kontrollin e dobët shtetëror mbi industrinë e kanabisit mjekësor. Sipas hulumtimeve të mëparshme të BIRN, biznesi i marihuanës është shndërruar në magnet për investitorë në kërkim të fitimeve të shpejta, shpesh me të kaluar të dyshimtë, ndërsa sistemi i mbikëqyrjes dhe vetingut të sigurisë mbetet i brishtë.



Të ndryshme
Më shumë
Tetovë, rritet dalja në zgjedhje në krahasim me rrethin e parë deri në ora 15:0031 October 2021
Zgjedhjet e reja në Kosovë paralajmërojnë kosto të lartë ekonomike 7 March 2026
Hoxha: Nuk jemi kundër që Alternativa të jetë në qeveri, edhe nëse e mbështesin Teuta Arifin në Tetovë21 October 2021