Një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar, Dom Mark Pashkja, në një lidhje direkte nga Shkodra për emisionin AGORA në AlmakPress, ka përcjellë një mesazh të fortë për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare ndër shqiptarë.
Ai theksoi se festat fetare nuk duhet të shihen si pronë e një komuniteti të vetëm, por si vlerë e përbashkët kombëtare. Sipas tij, nuk duhet të reshtim ta themi, ta pohojmë dhe të jemi krenarë që kemi një komb ku festat nuk i përkasin vetëm dikujt. Ai u shpreh se Pashkët nuk janë festë vetëm e katolikëve, por marrin një kuptim të jashtëzakonshëm nga urimet e vëllezërve myslimanë në familjet tona, ndërsa muaji i Ramazanit nuk është vetëm muaj i besimtarëve myslimanë, por është muaj i të gjithëve ne që gëzohemi duke parë gëzimin e vëllezërve tanë.
Duke kujtuar rrëfimet familjare, Dom Mark Pashkja solli në vëmendje historitë e gjyshit dhe të parëve të tij gjatë periudhës së komunizmit. Ai tregoi se kur e dinin se ishte muaji i Ramazanit, kishin kujdes të mos hanin, të mos pinin ujë dhe të shmangnin duhanin në prani të vëllezërve myslimanë, si shenjë respekti dhe solidariteti.
Mesazhi i tij u interpretua si një thirrje për ruajtjen e traditës së harmonisë ndërfetare, e cila prej dekadash konsiderohet një nga shtyllat më të forta të identitetit shqiptar.