Nga Vendi
3 March 2026
Lindja e Mesme në flakë, përshkallëzohen sulmet mes SHBA, Izraelit dhe Iranit

Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, me sulme intensive ajrore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj objektivave në Iran dhe Liban, si dhe me kundërpërgjigje të ashpra nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve amerikanë në rajon.

Komanda Qendrore Amerikane, Centcom, njoftoi se gjatë operacioneve të vazhdueshme janë shkatërruar objekte të komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike, sisteme të mbrojtjes ajrore iraniane, vende të lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe aeroporte ushtarake strategjike.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se ka goditur dhe çmontuar selinë e radios dhe televizionit shtetëror në Teheran, të cilën e cilësoi si qendër të komunikimit të regjimit terrorist. Sipas mediave vendase, numri i viktimave ka arritur në të paktën 787 persona.

Irani është kundërpërgjigjur duke shënjestruar baza dhe përfaqësi diplomatike amerikane në rajon. Media shtetërore saudite raportoi se selia diplomatike amerikane në Riad u godit nga dy dronë, të cilët shkaktuan një zjarr të kufizuar dhe dëme materiale.

Raporte të tjera flasin për një sulm me dron ndaj një baze ushtarake amerikane në veri të Irakut, ndërsa Garda Revolucionare ka pretenduar se ka shënjestruar edhe një bazë amerikane në Bahrein.

Tensionet janë ndjerë edhe në Qipro, ku pas mesnate një dron iranian i tipit Shaheed goditi pistën e një baze britanike, pa shkaktuar viktima apo dëme të mëdha, por duke përhapur frikë dhe panik mes banorëve. Zyrtarët theksuan se objektivi ishte baza britanike dhe jo vetë Qiproja, ndërsa dyshohet se droni mund të jetë nisur nga grupi militant Hezbollah, aleat i Teheranit.

Situata mbetet e tensionuar edhe në kufirin mes Izraelit dhe Libanit. Pas sulmeve të Hezbollah, ushtria izraelite ka vendosur trupa tokësore pranë kufirit, ndërsa zyrtarë libanezë raportojnë se forcat izraelite kanë kaluar përtej vijës kufitare. Izraeli nuk e ka përjashtuar mundësinë e një pushtimi tokësor të Libanit.

Në këtë klimë pasigurie, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar urdhra të rinj për qytetarët amerikanë që të largohen nga vendet e rajonit, përfshirë Izraelin, sa më shpejt të jetë e mundur. Qeveri të shumta po organizojnë evakuime emergjente përmes një numri të kufizuar fluturimesh, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore në disa zona.

Ndërkohë, Kanali i Hormuzit mbetet i paralizuar, nën kërcënimin e Iranit për të goditur çdo anije që tenton të kalojë, duke rritur frikën për ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë dhe stabilitetin ndërkombëtar.



Të ndryshme
Më shumë
Një hap më pranë të jetuarit në Mars: IA-ja zbulon sekretet e prodhimit të oksigjenit në planetin e kuq10 January 2024
Maqedoni: Mund të vendosen masa në kufi për shkak të llojit “Delta” 8 July 2021
Maqedoni: 19 qytete pa raste aktive me COVID-19, prej 12 korrikut fillon vaksinimi pa termin 6 July 2021