Në prag të ndeshjes historike të play-off-it të Botërorit 2026 ndaj Polonisë, zv.trajneri i Kombëtares shqiptare, Pablo Zabaleta, foli për përgatitjet intensive të stafit teknik, analizën e kundërshtarëve dhe gjendjen e lojtarëve kuqezi. Ai theksoi se ndjekja e lojtarëve në Itali e Spanjë, si dhe studimi i detajuar i Polonisë, Ukrainës dhe Suedisë, janë çelësi për një ndeshje të suksesshme.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Ka qenë një javë shumë e mirë, duke analizuar skuadrat, duke parë lojtarët tanë. Jam i lumtur me mënyrën sesi po shkon java dhe si duket e ardhmja. Polonia sigurisht është e përcaktuar, por duhet të shikojmë Ukrainën dhe Suedinë po ashtu,” tha Zabaleta, duke shtuar rëndësinë e informacionit dhe komunikimit me lojtarët.
Zv.trajneri u shpreh se, “Është hera e parë për këtë komb dhe për Kombëtaren që të arrijë në një ndeshje të tillë. Ata janë të gjithë shumë krenarë dhe entuziastë për këtë ndeshje, gjë që ne si staf teknik e shohim qartë.”
Zabaleta nënvizon gjithashtu respektin ndaj kundërshtarit, por me besim te cilësitë e skuadrës shqiptare. “Ne kemi shanse. E kemi vërtetuar më parë ndaj këtyre ekipeve; mund t’i mundim, sidomos sepse kjo është hera e parë. Të gjithë presim të përjetojmë eksperiencën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës, por për këtë kemi ende dy hapa të tjerë. Le të marrim hapin e parë, më pas të dytin, dhe pastaj do të vijë momenti kur mund të festojmë të gjithë bashkë,” deklaroi ai.