Kanuni i Lekë Dukagjinit mbetet një nga variantet më të njohura të së drejtës zakonore shqiptare, i përcjellë fillimisht në mënyrë gojore ndër breza. Dokumentimi i tij nisi në gjysmën e parë të shekullit XIX, kur administrata osmane e kodifikoi dhe e botoi në turqisht, në përpjekje për të frenuar fenomenin e gjakmarrjes.
Më vonë, në kapërcyellin e shekujve XIX dhe XX, klerikë katolikë që shërbyen në viset shqiptare mblodhën dhe sistemuan normat zakonore, duke i botuar në të përkohshme si Albania dhe Hylli i Dritës. Kodifikimi i parë i plotë në gjuhën shqipe u botua në vitin 1933 në Shkodër, si vepër postume e Shtjefën Gjeçovi, i cili e kishte mbledhur lëndën kryesisht në viset e Mirditës.
Emërtimi “Kanuni i Lekë Dukagjinit” dokumentohet që në vitin 1872 nga Selim Sirri Pashë Gjiriti, ndërsa vetë Gjeçovi përdorte edhe termin “Kanuni i maleve” si të ndërkëmbyeshëm. Studiuesit theksojnë se titulli ka bërë që fisniku mesjetar Lekë Dukagjini të konsiderohet gabimisht si autor i kanunit.
Përveç këtij kanuni, në traditën shqiptare dallohen edhe variante të tjera si Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Dibrës, Kanuni i Lumës dhe Kanuni i Bendës. Deri më sot, Kanuni i Lekë Dukagjinit është përkthyer në disa gjuhë të huaja, duke dëshmuar rëndësinë e tij historike dhe juridike.