Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, po ndjek nga afër formën e futbollistëve kuqezi që aktivizohen në kampionatin turk, mes tyre edhe Ernest Muçin. Ai së bashku me stafin teknik ishte i pranishëm në ndeshjen mes Beshiktashit dhe Rizerporit, ku luajnë edhe Asllani dhe Laçi.
Megjithatë, rreth 20 ditë para ndeshjes së “Play Off”-it kundër Polonisë, disa nga lojtarët e Kombëtares përballen me probleme fizike. Sipas mediave angleze, Armando Brojës i duhen edhe rreth dy javë për t’u rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në gju, ndërsa ai mungon prej më shumë se një muaji me Burnley-n.
Në dyshim për këtë përballje mbetet edhe Mirlind Daku, i cili prej dy muajsh vuan nga një problem në tendinën e akilit dhe ende nuk dihet se kur do të rikthehet në fushë. Ndërkohë, Medon Berisha pritet të mungojë me siguri, pasi dëmtimi i pësuar me Lecce-n rezultoi më i rëndë dhe rikthimi i tij parashikohet vetëm në fillim të prillit.
Probleme fizike ka pësuar edhe portieri i tretë i Kombëtares, Simon Simoni, i cili u dëmtua me skuadrën e Kaiserlautern.