Nga Rajoni
7 March 2026
Zgjedhjet e reja në Kosovë paralajmërojnë kosto të lartë ekonomike

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Kosovë po shihet nga ekspertët si një barrë e rëndë për ekonominë dhe stabilitetin institucional të vendit. Sipas tyre, përveç kostos financiare, procesi zgjedhor mund të pengojë edhe realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

Situata politike u komplikua pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar këtë veprim si detyrim kushtetues pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit ligjor.

Eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu vlerëson se vendi po përballet me pasoja të shumta ekonomike nga kjo situatë. Ai thekson se, në një kohë kur shtetet e zhvilluara përpiqen të forcojnë stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve, në Kosovë po eksperimentohet me institucionet, gjë që sipas tij përbën një goditje për ekonominë.

Sipas Gërxhaliut, vetëm organizimi i zgjedhjeve mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 9 deri në 10 milionë euro, ndërsa paralajmëron edhe rritje të shpenzimeve të tjera gjatë fushatës.

Ndërkohë, eksperti tjetër i ekonomisë Adem Qorrolli shprehet kritik ndaj situatës aktuale, duke theksuar se vendi përballet me varfëri dhe sfida të mëdha sociale. Ai deklaron se, të shkohet në zgjedhje me pensione të ulëta dhe me një pjesë të madhe të popullsisë që jeton me rreth dy euro në ditë, e rëndon edhe më shumë situatën ekonomike të qytetarëve.

Sipas ekspertëve, nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja, përveç kostos financiare, rrezikohet edhe vonesa e projekteve dhe reformave që janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.



Të ndryshme
Më shumë
Pas lëvizjes së pozicionit grek për Kosovën, Serbia në ankth i afrohet Spanjës23 July 2021
Moti sot në Maqedoninë e Veriut16 September 2021
“Fetarisht është haram, shtëpi e djallëzume”, hoxha kritikon “Për’puthen”25 October 2021