Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, bëri të ditur se procesi i evakuimit të shtetasve maqedonas nga vendet e Lindjes së Mesme po zhvillohet sipas planit, ndërsa siguria e qytetarëve mbetet prioritet i institucioneve.
Ai theksoi se menjëherë pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon është aktivizuar një mekanizëm i përhershëm krize, përmes të cilit institucionet dhe misionet diplomatike kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët. “Që nga momenti i parë i përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, krijuam një mekanizëm të përhershëm krize dhe ishim në komunikim 24-orësh me qytetarët maqedonas, me një qëllim të qartë, evakuimin e tyre të sigurt dhe të organizuar”, deklaroi Muçunski.
Sipas tij, nga Izraeli janë evakuuar disa shtetas me rrugë tokësore dhe përmes fluturimeve, ndërsa nga Emiratet e Bashkuara Arabe është realizuar një fluturim me 151 pasagjerë. Ai shtoi se qindra qytetarë janë të regjistruar edhe në Katar, Kuvajt, Bahrein dhe Arabinë Saudite, për të cilët po organizohet kthimi i tyre drejt Shkupit.
“Dinamika është e qartë, deri në mesin e kësaj jave të gjithë shtetasit maqedonas që kanë kërkuar evakuim duhet të kthehen në vend”, theksoi ministri.
Muçunski gjithashtu u bëri thirrje mediave të shmangin përhapjen e informacioneve të paverifikuara. “Përhapja e lajmeve të rreme krijon panik të panevojshëm dhe minon besimin në institucionet që punojnë për sigurinë e qytetarëve”, tha ai.