Nga Rajoni
9 March 2026
Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht dekretin e Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, vendim i cili do të mbetet në fuqi deri më 31 mars.

Sipas njoftimit, masa është marrë ex officio dhe ndalon çdo veprim të presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës për sa kohë kjo masë është në fuqi.

Nga Gjykata Kushtetuese bëhet e ditur se masa është ndërmarrë për të parandaluar pasoja të mundshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve. Në vendim thuhet se masa është vendosur “në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.

Ky vendim nënkupton se presidentja Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja përderisa masa mbetet në fuqi. Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ishte nxjerrë më 6 mars, një ditë pasi dështoi seanca për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesës së kuorumit, pasi partitë opozitare braktisën sallën.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, e kontestoi dekretin në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se procedura për zgjedhjen e presidentit kishte nisur më 5 mars dhe se ekziston një afat prej 60 ditësh për përmbylljen e procesit.

Në seancën e 5 marsit, Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidatë për president, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, por opozita i kishte konsideruar këto kandidatura të papranueshme dhe kishte kërkuar një figurë konsensuale.

Presidentja e Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë nevojiten 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.



Të ndryshme
Më shumë
Shqipëria blen një tjetër sasi vaksinash Pfizer17 June 2021
Nënë Tereza në veshje kombëtare26 August 2021
Pendarovski deri të enjte duhet të deklarohet rreth Ligjit për regjistrimin e popullsisë24 January 2021