Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet që në mbledhjen e sotme të vendosë për emrin e kandidatit për kryeprokuror të ri të shtetit, i cili më pas do t’i propozohet Kuvendit për votim.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se vendimi do të merret gjatë mbledhjes qeveritare.
“Sot do të kemi mbledhje qeveritare, dhe publiku do të dijë se cili do të jetë emri i prokurorit ose prokurores së ardhshëm, dhe do të dërgohet në Parlament”, deklaroi Mickoski.
Më herët, Këshilli i Prokurorëve Publikë dha mendim pozitiv për katër kandidatë, prokuroren Lençe Ristoska, ushtruesen aktuale të detyrës së Prokurores Shtetërore Publike Anita Topolova Isajllovska, prokuroren Lidija Raiçeviq dhe gjyqtarin Nenad Saveski.
Nga këta emra, Qeveria pritet të përzgjedhë njërin kandidat për ta dërguar për miratim në Kuvend. Kryeprokurori i ri zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.
Ky emër do të pasojë Ljupço Kocevskin, i cili në dhjetor dha dorëheqje të parevokueshme në ditën kur Kuvendi pritej të vendoste për shkarkimin e tij.
Burimi: TV21