Ish-zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut, ish-nënkryetarja e BDI-së dhe ish-kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në një shkrim me titullin “Ra ky mort”, Arifi e lidh vendimin e Hagës me ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, duke e përshkruar periudhën si një moment të rëndë emocional për Kosovën. “Vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për krerët e UÇK-së i parapriu një mort. Flora Brovina u nda nga kjo jetë mbase me një dhimbje më pak në zemrën e saj, duke na lënë ne të tjerëve të mbanim dhimbjen për humbjen e saj të përzier me ndjenjën tonë kolektive të thyerjes e dëshpërimit pas komunikimit të verdiktit”, shkruan Arifi. Flora Brovina ndërroi jetë më 15 shtator 2026, në moshën 76-vjeçare. Më 16 shtator, një ditë pas vdekjes së saj, Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet, gjithsej 81 vjet burgim. Sipas trupit gjykues, të katër u shpallën fajtorë për krimet e luftës të ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Duke kujtuar figurën e Brovinës dhe historinë e Kosovës, Arifi thekson nevojën për ruajtjen e kujtesës dhe dokumentimin e së kaluarës. “Memoria institucionale dhe mirë e organizuar është dëshmi që një komb e një shtet nuk e harron të kaluarën e dhimbshme, të njëjtën e dokumenton dhe vazhdon betejën paqësore, institucionale, promovuese dhe ndërkombëtare për të drejtën e viktimave”, shprehet ajo. Në shkrimin e saj, Arifi ndalet edhe te politika e brendshme dhe mënyra se si, sipas saj, lufta e Kosovës dhe figurat e UÇK-së janë përdorur në përplasjet politike. Ajo kritikon përdorimin e akuzave për krime lufte në betejat politike dhe ngre shqetësimin për pasojat që, sipas saj, mund të ketë një narrativë e tillë në planin ndërkombëtar. Arifi e vendos procesin e Hagës edhe në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, duke argumentuar se rrethanat ndërkombëtare kanë ndryshuar ndjeshëm që nga periudha e luftës në Kosovë. “Nëse ka ndryshuar konteksti politik ndërkombëtar, nuk ka ndryshuar e vërteta për Kosovën dhe sakrificat e popullit të saj”, shkruan ajo. Në fund, ish-zyrtarja shqiptare bën thirrje për reflektim dhe veprim të përbashkët politik, diplomatik dhe qytetar. “Është mirë ta mbledhim veten ashtu siç duhet”, shkruan Arifi, duke theksuar se ruajtja e dinjitetit historik dhe e kujtesës së Kosovës duhet të mbetet në fokus pavarësisht ndryshimeve në skenën ndërkombëtare. Shkrimi i Teuta Arifit vjen në një kohë kur aktgjykimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka hapur diskutime të gjera në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, ndërsa vendimi i shkallës së parë vijon të jetë pjesë e procesit gjyqësor në Hagë.