Nga Vendi
10 March 2026
Nga 17 marsi nis linja ajrore direkte Ohër–Bratislavë

Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia do të lidhen me një linjë të re ajrore të drejtpërdrejtë nga 17 marsi, e cila do të realizohet ndërmjet qytetit të Ohrit dhe Bratislavës. Hapja e kësaj linje pritet të lehtësojë udhëtimet dhe të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e turizmit dhe biznesit.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Sllovakisë në Maqedoninë e Veriut përmes një publikimi në rrjetet sociale, ku theksohet rëndësia e kësaj lidhjeje ajrore për marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Hapja e linjës së drejtpërdrejt ajrore është edhe një hap para drejt fuqizimit të kontakteve ndërmjet dy shteteve tona, para së gjithash në turizëm dhe në biznes. Besojmë se kjo do të kontribuojë për fuqizim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Sllovakisë dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Sllovakisë.

Sipas këtij institucioni diplomatik, linja e re ajrore do të krijojë mundësi të reja për turistët nga Maqedonia e Veriut për të vizituar Bratislavën dhe qytetet historike të Sllovakisë, si dhe për të njohur kulturën, natyrën dhe gastronominë e këtij vendi.

Nga ana tjetër, vizitorët nga Sllovakia do të kenë mundësi të zbulojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të Ohrit dhe liqenin e tij, një nga pasuritë më të rëndësishme të rajonit.

Vendosja e kësaj linje ajrore ishte paralajmëruar rreth dy muaj më parë nga ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ambasadorja sllovake në vend, Iveta Hricova, gjatë një takimi në Shkup. Sipas autoriteteve, zhvillimi i trafikut ajror mbetet një nga prioritetet për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe turistike mes dy vendeve.



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni: Kriza po kalon, punëtorë në hoteleri nuk ka21 June 2021
Fundjavën e kaluar, 1,700 shoferë u gjobitën: 828 prej tyre për shpejtësi tej normave të lejuara, 148 për drejtim pa patentë…14 July 2025
Ndizte zjarr në Itali, arrestohet në flagrancë shqiptari 25-vjeçar 4 August 2021