Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas një sulmi kibernetik që ka prekur infrastrukturën e tij kompjuterike, ndërsa autoritetet po punojnë për të analizuar incidentin dhe për të rikthyer të dhënat e fshira.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 është konstatuar një akses i paautorizuar në sistemin IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vërejtur se një pjesë e informacionit në disa llogari të punonjësve të administratës ishte fshirë.
“Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës”, thuhet në reagimin e Kuvendit.
Autoritetet theksojnë se vlerësimi paraprak teknik tregon se bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili kishte për qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.
Megjithatë, sipas analizave fillestare, infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe faqja zyrtare e Kuvendit si dhe sistemet kryesore vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Menjëherë pas zbulimit të incidentit janë ndërmarrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira.
Për hetimin e rastit është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa mbështetje teknike po ofrohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.