Organizimi i maturës shtetërore në ambientet e shkollave të mesme pritet të jetë sërish një sfidë për drejtuesit e institucioneve arsimore. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me zhvendosjen e bankave dhe karrigeve nga klasat në korridore dhe në sallat e edukatës fizike për zhvillimin e provimeve.
Në Gjimnazi Zef Lush Marku në Shkup, maturën shtetërore e kanë paraqitur 375 nxënës, çka nënkupton se i njëjti numër bankash dhe karrigesh duhet të zhvendosen nga punonjësit e shkollës. Drejtuesit e këtij institucioni arsimor vlerësojnë se zhvillimi i provimeve në klasa do të ishte një zgjidhje më efikase.
Zëvendësdrejtori i shkollës, Bekim Trolli, theksoi se procesi i bartjes së inventarit ka qenë i vështirë dhe i panevojshëm.
“Ka qenë një maltretim jashtëzakonisht i madh, shumë nënçmues të themi me i bart bankat. Nëse mendohet se në atë mënyrë do të ketë testim më të realtë nuk është ashtu. Më mirë i kontrollon në klasë 15 ose 20 nxënës se sa në sallë sporti apo në korridor ku janë me qindra”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, në Komuna e Tetovës propozohet një zgjidhje tjetër për organizimin e provimeve. Përgjegjësi për arsim, Validin Ademi, sugjeron që provimet të mbahen në amfiteatrot universitare, në mënyrë që të mos pengohet procesi i rregullt mësimor në shkolla.
“Unë apeloj që më së miri të mbahet përsëri si vitin e kaluar në amfiteatrot e universiteteve përkatëse, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore. Besoj se nëse mbahet aty nuk do ta pengojë procesin e arsimit për vitet tjera që zhvillojnë mësimin”, tha Ademi.
Ndërkohë, matura shtetërore e vitit 2026 do të shoqërohet me disa ndryshime. Përveç maturës së përgjithshme, këtë vit do të zhvillohen edhe matura profesionale dhe artistike, ndërsa deri më tani për të gjitha provimet janë regjistruar 14,573 nxënës.
Burimi: Alsat M