Në përvjetorin e parë të zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të viktimave, duke theksuar se kujtimi për jetët e humbura do të mbetet i përjetshëm.
Përmes një mesazhi publik, ai u shpreh se edhe një vit pas tragjedisë dhimbja vazhdon të ndihet thellë në shoqëri, ndërsa kujtimi për të rinjtë që humbën jetën mbetet i gjallë.
“Sot në Koçani u shprehim respekt të heshtur, por të thellë jetëve të pafajshme që u humbën shumë shpejt. Një vit më vonë, dhimbja dhe boshllëku ende ndihen në çdo zemër, por së bashku me to jeton kujtimi i ëndrrave të papërfunduara”, shkroi Mickoski.
Gjatë vizitës së tij, kryeministri nënshkroi edhe në librin e ngushëllimeve dhe mori pjesë në aktivitetin përkujtimor “Dita e Përkujtimit – 16 Mars 2025”, i organizuar në Qendrën Kulturore “Agimet e Bardha”.
“Me respekt të madh nënshkrova në librin e ngushëllimeve si një akt i sinqertë respekti për viktimat dhe si shprehje solidariteti me familjet e tyre. Le të mbetet i përjetshëm kujtimi për ta dhe le të jetë njerëzimi dhe uniteti ynë i përbashkët forca që do të na çojë përpara. Me ngushëllime të thella familjeve, Koçani kujton, Maqedonia kujton”, theksoi ai.
Tragjedia në diskotekën “Pulse” një vit më parë tronditi opinionin publik në vend, ndërsa përvjetori i saj u shënua me homazhe dhe aktivitete përkujtimore në nder të viktimave.