Nga Bota
16 March 2026
Europa i reziston kërkesës së Trump për mision ushtarak në Ngushticën e Hormuzit

Disa vende kryesore evropiane kanë refuzuar kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’u përfshirë në një mision ushtarak që synon sigurimin e Ngushtica e Hormuzit, një nga kalimet më strategjike të transportit detar në botë.

Sipas deklarimeve zyrtare, vende si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Greqia kanë vendosur të mos bëhen pjesë e aleancës së propozuar nga Uashingtoni për mbrojtjen e këtij korridori të rëndësishëm detar.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se po punohet për një plan për të garantuar lirinë e lundrimit në këtë zonë, por theksoi se misioni nuk do të jetë në kuadër të NATO. Ai u shpreh, “Po punojmë për të hartuar një plan të besueshëm për Ngushticën e Hormuzit, për të rihapur transportin detar dhe kalimin nëpër ngushticë, por kjo nuk do të jetë dhe nuk është parashikuar kurrë të jetë një mision i NATO-s”.

Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u shpreh kundër përfshirjes në konflikt, duke theksuar nevojën për zgjidhje diplomatike. “Nuk është lufta jonë. Nuk e filluam ne. Ne duam zgjidhje diplomatike dhe një fund të shpejtë. Kjo luftë filloi pa asnjë konsultim paraprak”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Trump shprehu zhgënjim ndaj aleatëve evropianë, duke theksuar se disa vende kanë refuzuar të ndihmojnë. Ai u shpreh, “Nuk jam fare i lumtur. Ne i kemi mbrojtur ata për vite me radhë me NATO-n sepse NATO është ne. Mund të pyesni Putinin. Putini ka frikë nga ne, jo nga Europa”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iran, Abbas Araqchi, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për vendet mike të Iranit, duke shtuar, “Është e mbyllur vetëm për armiqtë tanë dhe për ata që kryen agresion të padrejtë kundër vendit tonë”.

Në të njëjtën kohë, tensionet në rajon vazhdojnë të rriten, ndërsa sulmet dhe operacionet ushtarake po zgjerohen edhe në zona të tjera të Lindjes së Mesme.

Burimi: Tv Klan



Të ndryshme
Më shumë
OBRM-PDUKM: Gabimet e Zaevit në energji u kushtojnë qytetarëve 15 milionë euro në muaj26 October 2021
200 trupa amerikane do të monitorojnë armëpushimin në Gaza10 October 2025
Zvicra do të mbajë pesë ditë zie për 40 viktimat e zjarrit 2 January 2026