Nga Vendi
17 March 2026
Vazhdon gjykimi për tragjedinë në “Puls”, dëshmitarët theksojnë shkeljet e sigurisë

Një ditë pas përvjetorit të zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, në gjykatë ka vijuar procesi gjyqësor me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Para trupit gjykues dëshmoi Verica Milevska-Stefanovska, kryetare e Odës për Sigurim Privat, e cila theksoi se në objekte të tilla duhet të respektohen rreptësisht rregullat ligjore, duke përfshirë ndalimin e pranisë së të miturve. Ajo deklaroi se sigurimi kishte detyrimin të vepronte, duke shtuar, “duke pasur parasysh faktin se në objekte të tilla duhet të respektohen edhe ligje të tjera dhe tabelat që ndodhen në vende të dukshme paralajmërojnë se nuk lejohet prania e të miturve, sigurimi duhej të reagonte ose të paktën të njoftonte pronarin e objektit”.

Gjatë dëshmisë u theksua gjithashtu se përdorimi i mjeteve piroteknike përbën rrezik serioz për sigurinë, ndërsa gjykata nuk lejoi një pyetje lidhur me nevojën për trajnim të personave që i përdorin ato.

Në seancë dëshmuan edhe inspektorë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët nënvizuan se menaxhmenti i diskotekës kishte detyrim ligjor të përgatiste dhe dorëzonte dokumentacionin e nevojshëm për sigurinë, përfshirë planin dhe vlerësimin e rrezikut.

Ndërkohë, Prokuroria Publike kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes për heqjen e arrestit shtëpiak ndaj ish-kreut të Koçanit, Lupço Papazov, duke deklaruar, “Prokuroria Publike në këtë fazë të procedurës konsideron se nuk ka rrethana për të hequr masën e arrestit shtëpiak dhe për ta zëvendësuar atë me masa kujdesi”.

Tragjedia e ndodhur një vit më parë në diskotekën “Puls” mori jetën e 63 personave dhe la mbi 200 të lënduar, ndërsa hetimet kanë përfshirë dhjetëra persona dhe kompani, si dhe punonjës të policisë në procedura të veçanta.



Të ndryshme
Më shumë
Aksion masiv i policisë gjermane, mbi 750 të arrestuar e 3.2 tonë kanabis të konfiskuar 6 July 2021
Rama paralajmëron rezolutë në Kuvend për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit13 March 2026
Ahmeti: 27 prilli nuk duhet harruar aq lehtë 7 September 2021