Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke përcjellë një mesazh për falënderim, solidaritet dhe përkushtim shoqëror.
Në urimin e tij, ai theksoi rëndësinë e reflektimit dhe mirënjohjes, duke u shprehur, “Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar, në mesin e begative që gëzojmë sot, le të jemi më falënderues për të mirat që kemi dhe më solidarë me ata që kanë më pak”.
Kurti vuri theks të veçantë edhe te kujdesi për fëmijët, duke theksuar se ata janë amanet i shenjtë dhe se përkushtimi ndaj tyre duhet të jetë i vazhdueshëm. Ai u shpreh, “Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve”, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes, edukimit dhe mirëqenies së tyre.
Mesazhi i tij vjen në ditën e festës së Fitër Bajramit, duke theksuar vlerat e humanizmit, përgjegjësisë dhe përmirësimit si individë dhe si shoqëri.