Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, përjetoi një humbje të rëndë në referendum, ku rreth 53 për qind e qytetarëve refuzuan reformën e saj të drejtësisë, ndërsa vetëm 46 për qind votuan pro. Meloni e pranoi rezultatin dhe në një video në Instagram tha, “Italianët vendosën. Dhe ne do ta respektojmë këtë vendim.” Ajo e konsideroi refuzimin si një “mundësi të humbur për modernizimin e Italisë”, por theksoi se do të vazhdojë “punën për të mirën e kombit”.
Reforma synonte ndryshime kushtetuese, ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e organeve të reja të vetëqeverisjes ku do të përfshihej edhe parlamenti, duke rritur ndikimin politik mbi sistemin gjyqësor. Kundërshtarët paralajmëruan për rrezikun ndaj pavarësisë së drejtësisë, duke theksuar se prokuroria mund të bëhej pre e politikës, ndërsa problemet strukturore do të mbeteshin të pazgjidhura.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Nicola Lupo, nga Universiteti Luiss, vlerësoi se “Jo”-ja në referendum është më shumë se një refuzim i reformës, duke u lidhur ngushtë me qeverinë dhe Melonin. Megjithatë, partia e saj, Fratelli d’Italia, mbetet në krye të sondazheve, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte e lartë, rreth 58 për qind./ DW