Kryetari i Shkup, Orce Gjorgjievski, ka bërë të ditur se projekti për transportin e shpejtë me autobusë, BRT, do të pësojë ndryshim në trasë, duke mos kaluar më nëpër gjelbërimin qendror të qytetit.
Sipas tij, sistemi do të zhvillohet përgjatë korsive anësore të rrugëve, të cilat aktualisht janë të dedikuara për autobusë, por shpesh keqpërdoren nga automjetet e tjera. Për të parandaluar këtë, do të vendoset gjelbërim si barrierë fizike.
“Trasa e BRT-së nuk do të kalojë nëpër gjelbërimin qendror, duke mbrojtur kështu burime të rëndësishme natyrore, përfshirë furnizimin me ujë të qytetit. Në vend të kësaj, sistemi do të zhvillohet në korsitë anësore, ndërsa do të parashikohet edhe gjelbërim i ri si barrierë natyrore”, thuhet në njoftimin e tij.
Projekti përfshin dy linja kryesore, Lindje–Perëndim dhe Veri–Jug, autobusë ekologjikë me teknologji CNG dhe hibride, stacione inteligjente dhe sistem informimi për udhëtarët, si dhe integrim me qendrën e trafikut të qytetit.
Financimi prej 70 milionë eurosh i siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim pritet të shfrytëzohet për realizimin e projektit, ndërsa paralajmërohet edhe furnizimi me 100 autobusë ekologjikë.
Projekti BRT, i cili për vite me radhë është përballur me kritika dhe bllokada politike, rikthehet në fokus si një nga zgjidhjet kryesore për përmirësimin e transportit publik në kryeqytet.