Këshilli i Prokurorëve Publikë në Maqedonia e Veriut ka zgjedhur katër prokurorë të rinj në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke përforcuar strukturat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të përzgjedhurit janë Engjëllushe Kadriu-Leshi, Aleksandar Markovski, Ana Gogovska-Jakimovska dhe Ana Stojkoviq-Dimitriovska.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Selimi, bëri të ditur se në konkurs kishin aplikuar tetë kandidatë për pesë pozita, por dy prej tyre, Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro, tërhoqën kandidaturat dhe nuk u morën në shqyrtim.
Pas vlerësimit të aplikimeve, disa kandidatë të tjerë nuk arritën të sigurojnë mbështetjen e nevojshme në votimin publik të Këshillit.
Ndërkohë, Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, deklaroi se kishte analizuar materialet për të gjithë kandidatët, duke theksuar se mbështetja e tij do të fokusohej tek ata që nuk vijnë nga radhët e prokurorisë.
“Do të votoj për tre kandidatët që nuk vijnë nga Prokuroria Publike, duke pasur parasysh qëndrimin tim se duhet t’u jepet një shans”, u shpreh ai.
Procesi i përzgjedhjes synon të rrisë efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve në trajtimin e rasteve të ndjeshme që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.