Nga Rajoni
28 March 2026
SHBA dhe Kosova thellojnë bashkëpunimin në energji, fokus te gazi dhe minierat

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim me ministren e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ku në fokus ishte zgjerimi i bashkëpunimit në sektorin e energjisë dhe minierave.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada amerikane theksoi përkushtimin për të krijuar mundësi të reja për bizneset amerikane, veçanërisht në fushën e gazit të lëngshëm natyror dhe industrisë minerare. “Mezi presim vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që promovojnë prosperitet të ndërsjellë”, thuhet në reagim.

Diskutimet vijnë në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në sektorin energjetik, duke qenë se rreth 90 për qind e prodhimit të energjisë mbështetet në termocentralet me qymyr.

Ministrja Rizvanolli ka shprehur më herët gatishmëri për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizim me gaz, duke theksuar se përballueshmëria e energjisë mbetet prioritet. “Për Kosovën përballueshmëria e energjisë mbetet prioritet kyç dhe ndjekim një qasje të dyfishtë, rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese dhe eksplorimin e teknologjive të reja”, është shprehur ajo.

Megjithatë, mungesa e rrjetit të gazsjellësve dhe daljes në det e vështirëson zhvillimin e këtij sektori, duke e bërë të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal, përfshirë mundësinë e lidhjes me projekte si TAP ose terminalet e gazit në rajon.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar Kosova importoi gaz në vlerë rreth 19 milionë euro, ku një pjesë e konsiderueshme vjen edhe nga SHBA.

Burimi: REL



Të ndryshme
Më shumë
Presidenti iranian i drejtohet amerikanëve: Mosbesimi ndaj SHBA-së buron nga ndërhyrjet historike 2 April 2026
Gjashtë viktima dhe 153 raste të reja me Covid-1925 June 2020
Artemis Malo, Ambasadorja model që përfaqëson Shqipërinë me profesionalizëm në Kanada16 March 2026